Opozita e ndërpret seancën, niset drejt RTK-së

(Lajm i përditësuar)

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar ndërprerjen e seancës për të shkuar para objektit të Radio Televizionit të Kosovës për një konferencë për media pasi akuzoi këtë medium se nuk e transmetoi seancën e sotme.

“Ashtu siç e paralajmëruam edhe më herët si shefa të grupeve parlamentare të partive opozitare, ne tani do ta ndërpresim seancën për një arsye të vetme, që para RTK-së ta mbajmë një konferencë për media dhe t’i adresojmë çështjet të cilat na brengosin jashtëzakonisht shumë. Sjellja e RTK-së karshi opozitës dhe Kuvendit të Kosovës është e patolerueshme. Pra, bllokimi i fjalës, tentimi për ta shmangur nga vëmendja e qytetarit aferën që e ekspozon një grup parlamentar është i papranueshëm. Prandaj, ne do ta ndërpresim dhe si deputetë të opozitës do të shkojmë tani para RTK-së për një konferencë për media”.


​Lekaj për Kurtin dhe Mihalin: Të gjitha mund t’i bëjnë por ta dinë se iu ka hyrë uji përfundi

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Pal Lekaj, ka akuzuar koordinatoren e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali se ka ndal transmetimin e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, ku po diskutohet për borxhet e ambalazhuesve të ujit.

Ai tha se kryeministri Albin Kurti por edhe Dejona Mihali mundet të mendojnë se i bëjnë të gjitha, por shtoi se të njëjtëve iu ka hyrë uji përfundi.

“Dejona sot e ka ndal transmetimin në RTK. Në televizionin publik që financohet nga Kuvendi i Kosovës dhe i përgjigjet vertikalisht Kuvendit. Dejona nuk di se si se ka ndal edhe energjinë këtu në Kuvend. Dejona se di se si nuk e ka ndal edhe ngrohjen në këtë Kuvend. I themi Dejonës dhe Kurtit se mundet të gjitha t’i bëjë, por ju ka hy uji përfundi dhe nuk e di ku iu dërgon”, theksoi Lekaj.


Deliu: Deputetët e LVV-së po e lypin edhe birën e miut për të ikë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka deklaruar se deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje po e lypin edhe “birën e miut” siç tha për t’i ikur skandaleve të njëpasnjëshme të qeverisë Kurti.

Ajo tha se kapoja siç e quajti “të gjithë këtë strukturë të kalbur kriminale”, është kryeministri Albin Kurti.

“Kapoja e të gjithë kësaj strukture të kalbur është kryeministri Albin Kurti. Sikur deputetët e tij, tash që janë duke lyp edhe birën e miut me ikë po ikë edhe kryeministri. Të gjithë po e shohim mbretin, ashtu siç është në të vërtet, bash cullak”, tha Deliu.

Deputetja opozitare në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për ambalazhuesit e ujit, tha se si është e mundur që një zyrtar me pagë mujore 732 euro të ketë qarkullim rreth 400 mijë eurosh.

“Si ka mundësi që dikush që e ka rrogën 732 euro në ministri t’i qarkullojë rreth 400 mijë euro brenda 1 viti. I njëjti i ka deponuar 100 mijë euro vetëm përmes bankomatit. Si është e mundur që inteligjencës financiare t’i ikë një rast si ky”, theksoi Deliu


Tahiri: Kjo qeveri do të ikë me 9 shkurt, do të ikë njëherë e përgjithmonë

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, në seancën e jashtëzakonshme ka folur për bisedat e Dejona Mehalit me ish-kryeshefin e KEK-ut.

“Jemi mbledhur sot me vetmin qëllim që ta zbardhim një skandali i cili është i shumti në këto vite e që është me interes të publikut dhe zbatimit të ligjit që të diskutohen disa çështje. Sipas deputetit Tahiri, kjo qeveri ka ardhur në pushtet me mashtrim para katër viteve. “Kjo qeveri do të ikë me 9 shkurt, do të ikë njëherë e përgjithmonë”.

“9 shkurti do të jetë dita e gjykimit për ta”, tha ai. “Struktura joformale që nuk kanë asnjë rol në Qeverinë e Kosovës sot vendosin për taksa paguesit e Kosovës”, ka thënë Tahiri.


Zemaj nga LDK: Naser Hafizi është një person i afërt i Kurtit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj në seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sot tha se kjo qeveri ka premtuar qyetetarët që do të bëjnë qeveri me duar të pastërta dhe do të luftojnë korrupsionin. Ai përmendi edhe arrestimin e zyrtarit të MMPHI-së, Naser Hafizi, zyrtar i cili sipas Tahirit është një njeri i afërt i kryeministrit Kurti.

“Naser Hafizi nuk është njeri i pa rëndësishëm, ai është njeri i afërt ose shum i afërt me Kurtin ndërsa Dejona është vet Kurti. Këta njerëz shkurt e shqip janë struktura kriminale”, deklaron deputeti i Ldk-së. “Ky pushtet i dështuar po i ikë përgjegjësisë që duhet të jepë para qytetarit që e votoi me premtimin e madh se do të bëjnë qeveri me duar të pastërta dhe do ta luftojnë korrupsionin. Tani vet faktet e thonë se kjo qeveri veq duart e pastërta nuk i ka, i ka shytur fellë në korrupsion të lartë por aferat korruptive të tyre po e gjejnë driten e publkimit çdo ditë sepse nuk fshihen gjatë”, tha ai


Tahiri: RTK s’po e transmeton seancën, kapelat e LVV e Dejonës janë duke e bërë këtë krim

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në seancën e jashtëzakonshme sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka drejtuar kritika ndaj qeverisë dhe ndaj Dejona Mihalit.

Ai gjithashtu kritikon edhe kryeministrin Kurti, i cili sipas tij e ka vendosur këtë seancë të transmetohet në RTK 3 dhe jo në RTK.

“Para se me fol për kapelat. Po e ngris një çështje tjetër, në këto momente vendosa me pa për kureshtje a është duke e transmetuar RTK këtë seancë live dhe e pashë që RTK në këtë moment në programin qendror paska vendos me transmetu një konferencë të kryeministrit Kurti për të mbijetuarit e dhunës seksuale, ndërsa Kuvendin e Kosovës institucionin që e ka themelu këtë institucion paska vendos me qit në RTK 3, pra kjo nuk ka ndodhë kurrë, asnjëherë. Këto kapelat e LVV e Dejonës që janë në RTK janë duke e bë këtë krim, dhe kjo është një tendencë me mbytë zanin opozitar…” , deklaroi Tahiri në Kuvend”, deklaron ai.


Shala për rastin e ambalazhimit të ujit: Ka bërë dëm të madh në buxhetin e shtetit mbi 10 milionë euro

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala sot në seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në lidhje me raportimet për korrupsion të ambalazhimit të ujit nga Ministria e Mjedisit ai u shpreh se kjo çështje ka bërë dëm të madh në buxhetin e shtetit mbi 10 milionë euro të ditura deri më tani.

“Në pamundësi për të realizuar këto dy kërkesa sot jemi këtu bashkërisht opozita në seancë të jashtëzakonshme për të njëjtën temë, çështjen e aferave tashmë publikisht të njohur korruptuar të ambalazhueseve të ujit, tashmë Greqia dhe institucionet tjera shtetërore kanë ndërmarrë hapa konkret për hetimin dhe zbardhjen e kësaj afere korruptive me përmasa të dhjetëra milionë euro”, tha ai. Sipas tij në lidhje me këtë çështje janë pakësuar nga buxheti i shtetit mbi 10 milionë euro. “Dëmi financiar për buxhetin e shtetit është mbi 10 milionë euro të ditura deri më tani nga mediat. Duke ju shmangur kësaj procedure legale dhe legjistrative, mazhoranca na sjellë deri në këtë moment. Me 27 shtator 2024 ne grupi parlamentar kemi parashtruar kërkesë për debat parlamentar për të njëjtën çështje, përsëri kemi ikje nga përgjegjësia dhe sabotim të këtyre punëve të kuvendit”, u shpreh Shala, përcjell portali rtv21.tv

Kujtojmë se në kohën e qeverisë Haradinaj u ishin falë afro 60 milionë euro borxhe, kompanive që ambalazhojnë ujin. Për falje të borxheve u raportua se kanë ndodhur edhe në tash nën udhëheqjen e Liburn Aliut, por ministri kishte deklaruar se nuk ka asnjë falje borxhesh ndaj kompanive që merren me ambalazhin e ujit. “Çështja e ambalazhimit të ujit, ka qenë çështje që është ngritur kemi pasur edhe padi në prokurori nga ana e PSD-së, unë nuk jam intervistuar për këtë punë. Nuk ka çështje fare këtu, nuk ka as faturim as vendim i faljes, nuk ekziston asnjë vendim i faljes të ujit siç nuk ka vendim të faturimit të tillë çfarë e prezantojnë këta”, kishte deklaruar ministri Aliu.

 


Pushteti s’merr pjesë në seancën e Kuvendit për ambalazhuesit e ujit

Ka filluar seanca e jashtëzakonshme për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, e thirrur nga partitë opozitare.

Edhe në këtë seancë nuk po marrin pjesë deputetët e mazhorancës.

Para se të fillonte seanca deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës vendosën kapela të zeza tek ulëset e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kuvendi filloi seancën edhe me një minutë heshtje në nderim të komandantit të parë i KFOR-it, Gjenerali Sir Mike Jackson./21Media

Back to top button