Lëndimi i nxënësve nga një ‘loje’ nga “TikTok”, Komuna e Lipjanit për kujdes
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, u ka bërë thirrje prindërve dhe personelit arsimor që të shtojnë kujdesin në përmbajtjen që fëmijet ndjekin, për shkak të, siç është thënë në njoftim, rritjes së numrit të fëmijëve të lënduar si pasojë e praktikimit të një loje të re që është shfaqur në platformën “TikTok”.
Sipas njoftimit, ditëve të fundit komuna është njoftuar për rritje të numrit të nxënësve të lënduar si pasojë e kësaj “sfide”.
“Loja quhet Sfida e Supermenit dhe përfshin hedhjen me njërën dorë përpara, duke imituar personazhin Superman. I bëjmë thirrje të gjithë prindërve: Kujdesuni për përmbajtjet që fëmijët ndjekin në platformat sociale dhe ndihmojini të kuptojnë pasojat e mundshme fizike dhe emocionale që mund të shkaktojnë këto lojëra”- thuhet në njoftim.
Ndërsa, ka apeluar për vigjilencë dhe ndërgjegjësim ndaj këtyre fenomeneve, Ahmeti ka thënë se lusin personelin arsimor të shtojë kujdesin që fenomene të tilla mos të jenë të pranishme në shkolla.
“Mesazh për fëmijët dhe adoleshentët: Sfidat e tilla jo vetëm që dëmtojnë shëndetin tuaj, por mund të rrezikojnë edhe jetën tuaj. Mos lejoni që presioni i rrjeteve sociale t’ju shtyjë drejt aktiviteteve të rrezikshme. Jeta dhe mirëqenia juaj janë më të rëndësishme”- ka thënë tutje ai.
Gjatë vitit 2024, disa herë janë raportuar në Policinë e Kosovës raste të nxënëseve të shkollave fillore e të mesme që i kanë gërvishur duart e tyre, të nxitur nga një video (lojë) në “TikTok”.