Leposaviq, Tentim për plaçkitje të Bankës Kombëtare të Serbisë

Policia e Kosovës është raportuar se nuk ka qenë në vendngjarje as gjysmë ore pas incidentit.
Aty më pas kanë mbërritur pjesëtarët e EULEX-it, misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.
Policia e Kosovës është instanca e parë intervenuese për sigurinë, EULEX-i i dyti dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i treti.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë Policinë e Kosovës për rajonin e veriut, por deri më tani askush nuk u është përgjigjur thirrjeve.
Pjesëtarët serbë që kanë punuar në Policinë e Kosovës, e kanë braktisur këtë institucion në fillim të nëntorit, si shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Përveç Policisë së Kosovës, serbët lokalë kanë braktisur edhe institucionet tjera lokale dhe qendrore në Kosovë.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se një vendim i tillë ka krijuar vakum që mund të përkeqësojë situatën e sigurisë.
Për incidentin në Leposaviq raportohet dy ditë pas shkatërrimit të objekteve të Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok, komuna po ashtu të banuara me shumicë serbe.
Zgjedhjet për komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan – janë caktuar për 18 dhjetor, pasi kryetarët e tyre kanë dhënë po ashtu dorëheqje për shkak të vendimit për targat.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila me mbështetjen e Beogradit zyrtar i udhëhoqi këto komuna – i kundërshton këto zgjedhje.
Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar se, aktualisht, nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës më 18 dhjetor.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me intensifikimin e sulmeve në veri do të ketë prani të shtuar të policisë në këtë pjesë të vendit.
Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar “grupet kriminale” për sulmet në veri, duke thënë se ato “paguhen dhe drejtohen nga Serbia” për incidentet në veri të Kosovës./rel

Back to top button