Letra e Thaçit për FSK-në në veri, “ende e vlefshme”

Zotimi i Kosovës për të mos e dërguar Forcën e saj të Sigurisë në veri të vendit, pa pëlqimin paraprak të NATO-s, është i vlefshëm edhe sot, kur mandati i kësaj force ka ndryshuar, thotë për Radion Evropa e Lirë Besfort Rrecaj, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës.

Sipas tij, deklaratat e njëanshme lëshohen nga shtetet dhe si të tilla konsiderohen obligative.

“Kosova duhet ta respektojë atë, për aq kohë sa nuk ndryshohet nga ndonjë kryeministër ose nga ndonjë përfaqësues tjetër i shtetit të Kosovës”, thotë Rrecaj.

Në vitin 2013, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një letër-këmbim me shefin e atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, u zotua se FSK-ja nuk do të dislokohet në veri – zonë e banuar me shumicë serbe – pa u dakorduar paraprakisht me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, unë jap garanci se FSK-ja do të ndërmarrë mision në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it”, thuhet në letrën që mban nënshkrimin e Thaçit dhe datën 19 prill, 2013.

Veriu i Kosovës është shpesh vatër tensionesh, pasi popullata shumicë serbe – e dirigjuar nga Beogradi – vështirë u bindet autoriteteve të Kosovës.

Letër-këmbimi me NATO-n besohet të jetë bërë në përpjekje për ta mbajtur situatën atje nën kontroll.

Por, më shumë se një dekadë më vonë, ka zëra që thonë se ky zotim si i tillë nuk është më i vlefshëm, sepse statusi i FSK-së nuk është më i njëjti.

“Për NATO-n, FSK-ja nuk ka ndërruar, por ne e kemi ndërruar [misionin e saj përmes ndryshimeve ligjore]”, thotë për Radion Evropa e Lirë Avni Arifi, dikur shef i kabinetit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Sipas tij, FSK-ja nga viti 2018 e ka siguruar mandatin ushtarak, të cilin nuk e ka pasur në kohën kur është bërë letër-këmbimi me NATO-n.

Pas incidentit të 29 nëntorit në Zubin Potok, ku një shpërthim i fuqishëm dëmtoi kanalin kritik të Ibër-Lepencit, KFOR-i tha se institucionet e Kosovës i kanë kërkuar autorizim për dërgimin e mundshëm të FSK-së në zonën e prekur, por se misioni e ka refuzuar.

“Komandanti i KFOR-it nuk e ka dhënë një autorizim të tillë, bazuar në vlerësimin e tij të sigurisë dhe veprimet që tashmë janë ndërmarrë nga KFOR-i”, tha ky mision në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

REL-i kërkoi koment për këtë çështje nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, por nuk mori.

Një ditë më herët, kryeministri Albin Kurti nuk konfirmoi se ka kërkuar një leje të tillë, por tha vetëm se “ushtria jonë – bazuar në marrëveshjen e vitit 2013 – nuk mund të shkojë në veri”.

“Ndaj, situata atje nuk është e njëjtë si në pjesët e tjera të vendit tonë”, tha Kurti në një konferencë për gazetarë.

Duke e konsideruar si të dëmshme për vendin, ai e dërgoi letrën e Thaçit në prokurori në vitin 2021, por në lidhje me të nuk u mor ndonjë vendim.

Po atë vit, gjatë një vizite që zhvilloi në Prishtinë, shefi i atëhershëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se dakordimi për FSK-në në veri mbetet i vlefshëm.

“Kur nënshkruani një marrëveshje, ajo vazhdon [edhe] kur keni persona të rinj në pozita përgjegjëse”, tha Stoltenberg, duke komentuar vendimin e Kurtit për ta dërguar letrën në prokurori.

Arifi, i cili ka shërbyer në kabinetin e Haradinajt nga viti 2017 deri më 2020, thotë se Forca e Sigurisë së Kosovës, përmes ligjit, ka siguruar mandatin e saj ushtarak, të cilin nuk e ka pasur në vitin 2013.

Kuvendi i Kosovës, në vitin 2018, miratoi ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të FSK-së në ushtri.

Ligji për FSK-në, i cili hyri në fuqi në janar të 2019-ës, thotë se kjo forcë “mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës”.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Arifi thotë se, asokohe, vendet partnere të Kosovës i kanë kërkuar Haradinajt që ta rinovonte marrëveshjen për mosdërgimin e FSK-s në veri.

“Haradinaj u ka thënë ‘jo’… ‘konsiderojmë që [FSK-ja] duhet të ketë mandat të plotë dhe se Ministra e Mbrojtjes duhet të jetë operative në të gjithë Kosovën’. Haradinaj ka refuzuar, mirëpo ka thënë se koordinimi me NATO-n është esencial dhe nuk ndodh kurrë asgjë pa koordinim me NATO-n”, thotë Arifi.

Sipas tij, nëse kryeministri Kurti kërkon bazë ligjore për ta dërguar FSK-në veri, ai atë e ka – nisur nga pikëpamja e institucioneve të Kosovës.

Ndërsa nga pikëpamja e NATO-s, thotë ai, misioni i FSK-së nuk ka ndryshuar dhe mbetet ai i vitit 2008, kur ajo kishte mision “t’i ndihmonte autoritetet civile në përgjigje ndaj fatkeqësive natyrore dhe emergjencave të tjera”.

Profesori Rrecaj nuk pajtohet. Ai thotë se letra e Thaçit ka karakter juridik obligues për Kosovën.

Sipas tij, ajo është një deklaratë e njëanshme, por rezultat i diskutimeve të përfaqësuesve institucionalë të Kosovës me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

Për më tepër, shton Rrecaj, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është ende në fuqi dhe, bazuar në të, interpretimi final i situatës së sigurisë në Kosovë i takon KFOR-it.

“Sipas Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të gjitha shtetet janë të obliguara t’i respektojnë rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe vendimet e tij. Rrjedhimisht, kjo vlen edhe për Kosovën”, thotë Rrecaj.

KFOR-i u miratua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, pas përfundimit të luftës më 1999.

Rezoluta 1244 e tij i autorizoi shtetet anëtare të OKB-së për të mbajtur një prani ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë, e cila sot ka mbi 4.400 trupa.

KFOR-i është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare është Policia e Kosovës.

Për dallim prej FSK-së, shkuarja e Policisë së Kosovës në komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, nuk është e kufizuar./rel

Back to top button