Lewandowski reagon pas fjalëve të Messit: Shpresoj të jenë të sinqerta

Robert Lewandowski e pranoi që u ndje i mërzitur me rastin që nuk e fitoi Topin e Artë dhe reagoi pas fjalëve të shtatë herë fituesit të këtij çmimi Lionel Messit.
Në ceremoninë e pranimit të Topit të Artë, Messi kërkoi që Lewandowskit t’i dhurohet ky çmim për vitin 2020.
“France Football” ishte kundër që Topi i Artë të dhurohet në një sezon, i cili ka pasur ndërprerje për shkak të pandemisë, kështu lojtarët që kanë qenë në formë humbën shansin që të fitojnë këtë çmim.
Por, Lewandowski humbi shansin që ta fitojë këtë çmim prestigjioz në vitin 2021, ku nga shumë media dhe analistë u konsiderua vendim jo i drejtë.
Tani, sulmuesi polak reagoi rreth kësaj situate ku e pranoi që ishte ndjerë i mërzitur që kishte përfunduar në listë pas Messit.
“Ndjeva trishtim. Nuk mund ta mohoj këtë gjë. Nuk mund të them që isha i lumtur, në fakt e kundërta. Kam një ndjenjë mërzie. Të jesh kaq afër, të rivalizosh Messin, sigurisht e respektoj mënyrën se si luan dhe se çfarë ka arritur. Vetë fakti që kam pasur mundësinë për të qenë rival i tij, më tregon nivelin që unë e kam arritur”, tha Lewandowski.
Pasi që e fitoi çmimin si lojtari më i mirë në planet për të shtatën herë në karrierë, ikona argjentinase, Messi sugjeroi që paraqitjet e mira të Lewandowskit në vitin 2020 duhet të shpërblehen.
Pas këtyre fjalëve, Lewandowski shpreson që Messi foli sinqerisht dhe jo vetëm për media.
“Nuk jam aq i entuziazmuar për ta fituar çmimin e vitit 2020. Do të kisha dëshirë që fjalët e Messit të jenë të sinqerta dhe një deklaratë nga një lojtar i madh, jo vetëm fjalë të thjeshta”, shtoi tutje Lewandowski.
Që nga viti 2020, Lewandowski ka arritur të bëjë 61 paraqitje për gjigandin gjerman, Bayern Munich, duke regjistruar 75 gola dhe 11 asistime.

Back to top button