Liberalizimi i vizave, Kurti: Kjo është meritë e të gjithëve

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar qytetarët e Kosovës për liberalizimin e vizave.

Kurti ndër tjera ka falënderuar eurodeputetët, Parlamentin Evropian dhe shtetet e Bashkimit Evropian për votën, vendimin dhe mbështetjen.

“Liberalizimi i vizave ndodhi sot. Nga data 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të udhëtojnë lirshëm në zonën shengen. Kjo është meritë e të gjithëve, veçanërisht e qytetarëve tanë. Andaj urime të gjithëve, sepse është për të gjithë. Falënderojmë eurodeputetët, Parlamentin Evropian dhe shtetet e Bashkimit Evropian për votën, vendimin dhe mbështetjen”, ka shkruar Kurti.

Qeveria e Kosovës: Liberalizimi i vizave tashmë është realitet

Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe procedurat për këtë çështje i afrohen fundit.

Qeveria e Kosovës ka thënë se pas një pritjeje të gjatë, ky është një moment kyç i përafrimit të vendit tonë me familjen evropiane.

“Liberalizimi i vizave tashmë është realitet. Ditën e sotme u votua pozitivisht në Parlamentin Evropian dhe vendimi final mbi liberalizimin e vizave. Ai do të nënshkruhet zyrtarisht ditën e nesërme në Strasbourg nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi. Vendimi do të publikohet në gazetën zyrtare dhe hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit. Sipas këtij vendimi, qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen dhe atë jo më vonë se data 1 janar 2024”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrisë.

Në këtë komunikatë gjithashtu thuhet se rregullat e reja mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën do t’i lejojnë qytetarët të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore.

“Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit. Falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante”, thuhet tutje në komunikatë./21Media 

Back to top button