Liberalizimi i vizave, Levits: Letonia mbështet Kosovën

Presidenti i Letonisë, Egils Levits, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, gjatë një konference për media me presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se situata në Evropë ka ndryshuar pas pushtimit rus dhe se tani Evropa kërcënohet nga një Rusi agresive.
“Arkitektura e sigurisë së Evropës duket të ripërtërihet dhe të bazohet në realitet. Realiteti është se duhet të ballafaqohemi me një Rusi agresive”, ka thënë Levits.
Ai tutje ka theksuar se është shumë e rëndësishme që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Evropës.
“Mendoj që është e rëndësishme që të anëtarësohet Kosova në organizatat ndërkombëtare e forume, do të përmendja këtu Këshillin e Evropës. Ne do të mirëpritnim aplikimin e Kosovës në Këshillin Evropës. Sa i përket BE-së Letonia është duke e mbështetur Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave. Tani nuk ka pengesa të arsyeshme që të mos jepet liberalizimi i vizave”, ka thënë ai ndër të tjera.
Osmani e ka pritur me ceremoni të larta shtetërore homologun letonez Egils Levits./21Media

Back to top button