Ligji për Automjetet dhe Ligji për të Huajt, MPB nga 1 nëntori me fushatë

Ministria e Punëve të Brendshme njofton publikun se nga 1 nëntori 2025 deri më 15 janar 2026 , do të zhvillojë një fushatë të intensifikuar informuese për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të huajt me qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë.

Sipas njoftimit, kjo fushatë do të zhvillohet përmes takimeve me qytetarë, tryezave të diskutimit me organizatat e shoqërisë civile, si dhe aktiviteteve informuese në terren, në mediat lokale dhe qendrore, dhe përmes kanaleve zyrtare të komunikimit, me qëllim adresimin e pyetjeve dhe paqartësive që lidhen me zbatimin e Ligjit për Automjetet dhe Ligjit për të Huajt.

“Fokusi i veçantë i kësaj fushate është informimi i qytetarëve rreth kushteve për pjesëmarrje në trafik në territorin e Republikës së Kosovës, veçanërisht për automjetet e regjistruara në një vend të huaj dhe çështjet që lidhen me zbatimin e dispozitave ligjore për automjetet. Fushata do të ofrojë gjithashtu udhëzime praktike për hyrjen, lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës.

Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar për të siguruar bashkëpunim të hapur dhe transparent me të gjithë qytetarët, pa diskriminim, me qëllim informimin e drejtë, zbatimin e plotë të ligjeve dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore.

Për më shumë informacion, ftojmë qytetarët të ndjekin njoftimet zyrtare në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës.”, thuhet në njoftim./21Media

 

Back to top button