“Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike i propozuar nga Qeveria nuk i mbështetë bizneset”

 

Shefi i deputetëve të PDK-së, Bedri Hamza, sot pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës tha se Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike i dërguar në Kuvend nga Qeveria, nuk është i duhuri, andaj si të tillë nuk do ta përkrahin.

“Jemi në një situatë kur flasim për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, nuk dëshirojmë të bëjmë pengesa në këtë drejtim, apo të themi që ligji propozuar nga PDK është më i mirë. Ne po kërkojmë qe eja të ulemi dhe ta bëjmë më të mirën për vendin. Sepse ligji i ardhur nga qeveria nuk është adekuat, nuk ka substancë dhe nuk i përkrahë bizneset dhe kategoritë që kanë nevojë. Bizneset duhet të përkrahen me grante”, tha Hamza.

Sipas tij, ligji nuk i adreson nevojat e ekonomisë.

Hamza tha se me qëllim që t’i dalin në përkrahje ekonomisë se vendit kanë dhënë iniciativa që sipas tij, kanë qenë të duhura për adresimin e nevojave të popullit.

Ndërsa, për Ligjin për Vlerat e Luftës, Hamza tha se i njëjti nuk ka për qëllim të cenojë asnjë liri.

“Jemi të hapur të diskutohet edhe me shoqërinë civile dhe ambasadat që mund të kontribuojnë në këtë çështje, edhe me grupet parlamentare. Ligji nuk ka për qëllim të cënojë asnjë liri”, shtoi më tutje Hamza.

Back to top button