Ligji për zyrtarët publikë, Haradinaj: Vonesat po ndodhin qëllimisht

Haradinaj në një konferencë për media ka folur edhe për Ligjin e Zyrtarëve Publikë

Kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj  ka hedhur dyshimin se ‘skenarët’ e vonesave të ligjeve po ndodhin qëllimisht.

E kam një dyshim që këto po bëhen me qëllim këta skenarë të vonesave të ligjeve, pra nuk duhet të thotë kështu një kryetar qeverie, ne i besojmë ligjeve, institucioneve edhe Avokatit të Popullit. Por, e kam një dilemë ose një drojë që është pak e qëllimshme kjo zvarritje. Ju e dini sa kanë pritur njerëzit deri te kjo ditë, të gjithë të punësuarit në sektorin publik. Nuk e kuptoj pse nuk bën ky ligj të fillojë, e aty nëse është dëmtuar një palë e caktuar atëherë mund të amendamentohet ligji. Por që të vonohet zbatimi i ligjit është e papranueshme prej anës time… Është tepër e pa kuptueshme, e pa nevojshme, nuk ka logjikë”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, në nëntorin e kaluar Kushtetuesja me kërkesë të Avokatit të Popullit ka pezulluar për tre muaj Ligjin për zyrtarët publikë.

Parashtruesi i kërkesës pretendonte se nenet e kontestuara nuk janë në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 132 [Roli dhe kompetencat e Avokatit të Popullit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kërkesa bazohej në paragrafin 2, nënparagrafin 1, të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] dhe në paragrafin 2, të nenit 116 [Efekti juridik i vendimeve] të Kushtetutës, në nenet 22, 27, 29 dhe 30 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121), si dhe në rregullat 32, 56 dhe 57 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese vendosi të miratojë masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 28 shkurt 2020.

Back to top button