Ligjvënësit britanikë kundërshtojnë planin për Brexit

Parlamenti nuk aprovon Brexitin

Ligjvënësit në Britani të Madhe kanë kundërshtuar planin e kryeministres britanike, Theresa May për largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Plani i kryeministres May është mposhtur me 432 vota kundër dhe 202 në të mirë të planit.

May kishte shtyrë votimin për Brexit nga muaji dhjetor për datën 15 janar, pasi i ishte bërë e qartë se nuk ka mbështetje për planin e saj.

Me këtë vendim ata kanë krijuar një situatë të paqartë në Britani, vetëm 10 javë para se ky shtet të largohet nga Bashkimi Evropian, përkatësisht më 29 mars.

Plani i kryeministres May është kundërshtuar si nga deputetët pro-Bashkimit Evropian, ashtu edhe nga ata pro-Brexitit.

Ekspertët kanë paralajmëruar se nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje, ekonomia e Britanisë do të përballet me kaos.

Kritikët e planit të kryeministres britanike, duke përfshirë edhe disa ligjvënës në partinë e saj, kanë thënë se dokumenti që tashmë është kundërshtuar do të mbante shtetin shumë të lidhur me rregullat e BE-së dhe jo të pavarur në krijimin e politikave të pavarura tregtare.

Ata që kanë përkrahur qëndrimin në BE, kanë arsyetuar kundërshtimin e planit me faktin se ai do të shpërfaqte Britaninë si inferiore, duke marrë parasysh marrëdhënien ekonomike aktuale që ka Britania si anëtare e BE-së.

Në referendumin e 23 qershorit më 2016, 17.4 milionë persona apo 51.9 për qind e votuesve kanë përkrahur largimin nga BE-ja derisa 16.1 milionë të tjerë apo 48.1 për qind të tjerë kanë votuar kundër Brexitit./REL

 

Back to top button