Likaj: Emocion i veçantë të shohësh të nxënësit përsëri në bankat shkollore

 

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.

Likaj ka thënë se është emocion i veçantë të shohësh më të vegjëlit tanë të ulur përsëri në bankat shkollore

“Gjatë vizitës që i bëra sot në mëngjes shkollës “Iliria” dhe Shkollës së Gjelbër në Prishtinë, pashë se shkollat janë përgatitur sipas udhëzimeve për të filluar procesin mësimor në kushte pandemie, ndërsa nxënësit u shprehën të lumtur që janë takuar me shokët, shoqet e mësuesit”, ka thënë Likaj.

Ai ka shtuar se Ministria e Arsimit, bashkë me institucionet e tjera relevante, do të jetë gjithmonë afër institucioneve shkollore për ta menaxhuar sa më mirë procesin mësimor, por siç ka thënë ai bashkëpunimi i të gjithë akterëve të përfshirë në shkollë, është i një rëndësie të veçantë.

“Maska, distanca dhe higjiena, janë tri rregullat themelore që na ndihmojnë të mbajmë hapur shkollat dhe fëmijët tanë të arsimohen dhe edukohen në shkollë! Urime viti i ri shkollor 2020/2021! Shëndet e suksese!”, ka thënë tutje Likaj përmes një postimi në “Facebook”./21Media

Back to top button