Likaj i befasuar me dorëheqjet në Këshillin Shtetëror të Cilësisë

 

Ministri në detyrë i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj është deklaruar rreth dorëheqjes së pesë anëtarëve në Këshillin Shtetëror të Cilësisë. Ai thotë se dorëheqja e tyre e ka zënë në befasi dhe se nuk ka qenë në dijeni për arsyet e prezantuara në letrën e dorëheqjes së anëtarëve ndërkombëtare.

Nëse këto arsye do të më ishin prezantuar, unë do të isha angazhuar në gjetjen e zgjidhjeve për sfidat me të cilat përballeshin dhe do të kisha shikuar mundësinë për t’i mbështetur ata”, thuhet në reagimin e Likajt.

Tutje ministri në detyrë Likaj thotë se MASH po monitoron nga afërt situatën e krijuar së fundmi në KShC.

“E ndjej si obligim të ofroj këndvështrimin tim dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës lidhur me këto dorëheqje. Si Ministër u emërova në qershor të vitit 2020 dhe që nga emërimi im ne si MASh kemi siguruar mbështetjen e plotë për punën e pavarur të AKA-së dhe jemi përpjekur të sigurohemi që të mos ketë asnjë ndërhyrje politike në funksionimin e AKA-së, përfshirë këtu edhe punën e KSHC-së. Ne kemi ndërmarrë disa veprime për të siguruar atë mbështetje dhe pavarësi për AKA-në, ndër to: -Themelimi i Komisionit të Ankesave të AKA-së (tashmë operacional dhe funksional); – Procedurat intensive për zhvillimin dhe finalizimin e ligjit të ri për AKA-në (drafti përfundimtar veçse ka dalë për konsultim paraprak publik); -Kemi mbështetur zhvillimin e Strategjisë së AKA-së (procesi është në vazhdimësi). Për më tepër, aktualisht me Ministrinë e Brendshme dhe Zyrën e Kryeministrit ne po punojmë ngushtë për të siguruar ambiente të reja dhe rekrutimin e stafit të ri për AKA-në në mënyrë që të sigurohemi që shërbimet që ofrohen nga AKA-ja të jenë cilësore. Të gjitha këto, ne i kemi bërë me qëllimin më të mirë, që AKA të kthehet atje ku i takon (anëtarësimi në ENQA) dhe për të mundësuar që ajo të punojë në pavarësi të plotë dhe në përputhje me ESG-të për sigurimin e cilësisë (veçojmë pikën 3.3 Pavarësia: Agjencitë duhet të jenë të pavarura dhe të veprojnë në mënyrë autonome. Ato duhet të kenë përgjegjësi të plotë për veprimet e tyre dhe rezultatet e këtyre veprimeve pa ndikimin e palëve të treta)”, thuhet mes tjerash në reagimin e Likaj.

Dje kanë dhënë dorëheqje 5 anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë apo siç njihet Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Tre nga të dorëhequrit janë anëtarët ndërkombëtarë të cilët nuk janë njoftuar me kohë për detyrimin sipas ligjeve të Kosovës, që si zyrtarë të lartë ta deklarojnë pasurinë e tyre. /21Media 

Back to top button