Likaj viziton disa shkolla në Obiliqit: Të gatshëm për fillimin e vitit të ri shkollor

 

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj dhe koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri kanë vizituar Gjimnazin “17 Shkurti”, Shkollën e Mesme Profesionale “Ismajl Dumoshi” në Obiliq dhe Shkollën e Mesme të Ulët “Hasan Prishtina” në fshatin Milloshevë.

Të shoqëruar nga kryetarja e nivelit komunal sindikal Luljejta Boshnjaku dhe drejtori i DKA-së Rexhep Zeka, ata kanë parë nga afër përgatitjet e bëra dhe angazhimin e vazhdueshëm të të punësuarve në këto institucionet arsimore për t’u përgatitur sa më shumë për fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor më 14 shtator.

Drejtorët dhe të punësuarit tjerë në këto shkolla kanë shprehur gatishmërinë për të nisur mbarë vitin shkollor, kurse drejtori i DKA-së ka lavdëruar bashkëpunimin me MASH-in e SBASHK-un dhe ka deklaruar se gjatë këtyre ditëve të mbetura do të finalizohen gjithë përgatitjet për të nisur mbarë me vitin e ri shkollor.

Likaj dhe kryetari i SBASHK-ut kanë vizituar edhe Kuvendin Komunal dhe kanë bashkëbiseduar për arsimin në këtë komunë me nënkryetarin Ibush Mjekiqi . Ata janë shprehur se këto vizita të përbashkëta në institucionet arsimore janë dëshmi e bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët në shërbim të arsimit .

Ministri dhe kryetari SBASHK-ut edhe në ditët në vijim do të vizitojnë institucione arsimore në komunat tjera të Kosovës .

Back to top button