“Po sillen si në bahçe të babës”, Limaj: VV as me Konjufcën si ka votat

(Lajm i përditësuar)
Limaj: Institucionet e Kosovës nuk treguan interes për të akuzuarit në Hagë
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj kritikoi ashpër mungesën e përgjegjshmërisë dhe angazhimit të institucioneve të Kosovës, veçanërisht të ish-parlamentit, për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e qytetarëve. Ai tha se shumë deputetë kanë shfrytëzuar mundësitë e tyre në mënyrë hipokrite, duke u përfshirë më shumë në imazhe publike sesa në veprime konkrete.
‘“Institucionet janë pa qendrim dhe angazhim, veçanërisht parlamenti. Deputetët kanë shfrytëzuar mundësitë e tyre, por shpesh në mënyrë hipokrite – duke bërë selfie në protesta, por duke heshtur në parlament. Fatkeqësisht, shteti institucional i Kosovës ka heshtur, sikur nuk e shqetëson se çfarë po ndodh,” tha Limaj.
Limaj: Buxheti është politik dhe për të blerë vota, qytetari të votojë pa emocion
Kryetari i Nismës Fatmir Limaj në ”Click” të RTV21 kritikoi ashpër projektbuxhetin e propozuar, duke e cilësuar si një mjet politik që synon të përdoret në fushatë dhe të ndikojë votuesit.
Ai tha se qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë të votojnë me mendim dhe jo me emocion, duke kërkuar disiplinim në skemën politike të vendit.
“Ky buxhet nuk është i sinqert. Ai është proklamuar për tu mos u votuar dhe për t’u përdorur në fushatë – një instrument i hapur për blerje të votave. Qytetari i Kosovës ka një shans të votojë me mend dhe jo me emocion,” shtoi ai.
“S’na takon ta ftojmë Krasniqin, nuk ka shije”, Limaj: Jemi të gatshëm vetëm për projekte serioze
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka theksuar se partia e tij është e gatshme për bashkëpunim vetëm nëse ftohet zyrtarisht. Ai gjithashtu iu drejtua qytetarëve duke u bërë thirrje për përgjegjshmëri në zgjedhje dhe për të ndëshkuar partitë përmes votës.
“Memli Krasniqi ende nuk na ka ftuar, kur të na fton, jemi të gatshëm të shkojmë edhe për një kafe. Nuk ka shije të ftohet nga një parti e vogël për të bërë koalicion. Nëse na ftojnë, jemi të gatshëm. Duhet disiplinimi i kësaj skene politike, qytetari e ka fuqinë në dorë – te kutia e votimit. Ndeshkoni! Shikoni njerëzit, largohuni nga emocioni dhe veproni me përgjegjshmëri,” shtoi ai.
Limaj: Nuk i frikësohemi zgjedhjeve, edhe nëse s’jemi pjesë e Kuvendit, punë e madhe
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur për qëndrimin e partisë së tij në lidhje me krijimin e qeverisë dhe zgjedhjet e reja, duke theksuar se Nisma ka bërë të gjitha përpjekjet për të mbështetur vendin dhe nuk ka pasur asnjë qëllim për të penguar procesin. Limaj gjithashtu shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me forca politike serioze dhe për të dhënë zërin e partisë për interesin e vendit.
“Nuk kemi frikë të mbetemi jashtë. Jo, kjo është gara. Kemi bërë të gjitha përpjekjet për të mos provokuar zgjedhjet, interesi ynë dhe i vendit kanë qenë i njëjtë. Ndjenja e stagnimit është e dukshme, por unë kam përkushtim që të shkojmë në zgjedhje edhe pse nuk na kanë konvenuar, edhe nëse nuk bëhemi pjesë e parlamentit punë e madhe. Këto tetë muaj kanë treguar sa shumë ka nevojë për zëra nacional dhe për pjekuri politike. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim me ata që janë seriozë. Me Abdixhikun kemi diskutuar për shumë çështje dhe jemi të hapur për projekte serioze,” tha Limaj.
Limaj: Koalicioni me AAK nuk dha rezultatin e pritur, partneri ynë u zhgënjye
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur për marrëdhëniet me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe rolin e partisë së tij në zgjedhjet e fundit. Ai ka theksuar se Nisma ka qenë një partner i vogël, por me vlerë të shtuar dhe se nuk ka penguar askënd, duke shtuar se analiza e rezultateve mund të hapë rrugë për bashkëpunime të reja.
“Me Aleancën kemi pasur një bashkëpunim pa obligime të ndërsjella. Deshira jonë ka qenë të vazhdojmë koalicionin. Rezultati nuk ishte ai që e prisnim, partneri ynë u zhgënjye, por nuk besoj që ata na kanë penguar, e as ne ata. Partneri i vogël, Nisma, ka qenë një vlerë e shtuar, duke rritur votën e vet. Në të gjitha komunat ku prisnim që partneri ynë të fitonte, ka pasur rënie ose humbje. Nëse bëhet një analizë e përbashkët, mund të gjendet një rrugë për të punuar në diçka tjetër.”, tha Limaj.
Limaj: Për 8 muaj ne jemi shar, por kemi qenë të qetë
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur për qëndrimin e partisë së tij gjatë 8 muajve të fundit në Parlament dhe për rolin e tij në diskutimet për çështjet kombëtare, duke bërë të qartë se prioritet i Nismës nuk janë postet apo marrëveshjet partiake.
“Për 8 muaj ne kemi qenë të qetë; kush ka ardhur në dyert e Parlamentit na ka shar por ne nuk kemi ndotur gjuhën sepse kemi qenë të bindur se koha do të tregojë qëndrimin tonë. Ata që thanë se unë ulem me kryeministrin për tema nacionale, në fakt janë ulur para meje. A është më e rëndë një fjali e imi që mund të ulem me kryeministrin për tema kombëtare, apo vota për Dimal Bashën?”, tha Limaj.
Limaj: Zgjedhjet mund të mbahen pas 20 dhjetorit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka paralajmëruar se nëse forcat politike serioze bashkohen, zgjedhjet mund të shmangen deri në mars.
Ai ka kritikuar zvarritjen e shpalljes së zgjedhjeve dhe ka theksuar se procesi duhet të çojë në zgjidhjen e situatës së kryeministrit dhe presidentit. Limaj ka akuzuar gjithashtu mungesën e veprimit dhe ka bërë thirrje që asnjë votë të mos humbasë.
“Nëse vijnë forcat serioze politike, mund të evitohet zgjedhjet në mars. Asnjë votë nuk duhet të lejohet të humbasë. Zgjedhjet mund të ofrojnë zgjidhje për një kryeministër të ri dhe një president. Përmes këtyre zgjedhjeve mund të zgjidhet edhe çështja e kryeministrit dhe e presidentit. Presidentja e ka ruajtur mirë pozicionin e saj gjatë këtij procesi 8-mujor dhe në këtë rast shpresoj që të mos bëhet pjesë e lojërave të tjera. Zgjedhjet duhej të shpallen dje, atë ditë në takim me Osmanin. Zvarritja mund të shkojë deri në fund të dhjetorit, eventualisht pas 20 dhjetorit e tutje; nuk mund të ketë sukses kjo zgjedhje e re e mandatarit,” tha Limaj.
“Po sillen si në bahçe të babës”, Limaj kërkon ndëshkim me votë për pushtetin
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në RTV21 kritikon ashpër qeverisjen e deritanishme dhe deklaratën e Konjufcës, duke e quajtur atë të papjekur dhe tallëse ndaj qytetarëve. Ai paralajmëroi se nëse ka një alternativë serioze nga forcat politike, duhet të ndërtohet një koalicion me platformë të qartë për të pasur një qeveri funksionale me kryeministër të ri.
Limaj duke komentuar një deklaratë të Glauk Konjufcës tha se ”Përgjegjësia dhe serioziteti kanë rënë në një nivel shumë të ulët”
“Këta janë duke folur si në bahçe të babës. Përgjegjësia dhe serioziteti kanë rënë në një nivel shumë të ulët në këtë klasë të politikës, është e tmerrshme. Përgjegjësia ndaj shtetit, vendi në krizë tash 9 muaj pa asnjë përpjekje duke e ditur se vet nuk mundesh. Shpresoj që qytetarët e Kosovës, shpresoj dhe besoj që përfundimisht do t’i marrin në përgjegjësi me votë, do t’i ndëshkojnë të gjithë, jo vetëm këta,” tha Limaj.
Limaj tha se për 9 muaj nuk ka pasur asnjë përpjekje për të nxjerrë vendin nga kriza dhe i bëri thirrje qytetarëve që të marrin në përgjegjësi partitë përmes votës.
”Tallje. I ftoj qytetarët të mos lejojnë këtë radhë të tallin vendin përmes shtetit. Për 9 muaj qytetarët kanë pasur rastin të shohin kush e ka seriozitet, kush ka pjekuri dhe përpjekje, dhe shqetësim për këtë shtet, dhe kush e ka vetëm një kalkulim për shtetin. Kjo është tallje dhe e thellon krizën. Keni qeverisur 5 vite; besoj që nëse ka një alternativë serioze nga forcat e tjera politike, nëse ka një kandidaturë serioze për kryeministër me një platformë të qartë, mund të ndërtohet një koalicion për të pasur një qeveri tjetër me kryeministër tjetër,” tha Limaj.
Limaj: Kurtit ia dhashë 3 vota falas, por s’i deshi
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se në ditën e parë të negociatave ai ia kishte ofruar Kurtit 3 vota pa asnjë obligim, marrëveshje apo post qeverisës. Megjithatë, Vetëvendosja nuk i shfrytëzoi ato vota për të formuar qeverinë, duke treguar mungesë pjekurie politike dhe dëshirë për të shmangur përgjegjësinë ndaj vendit. Limaj theksoi se Nisma ishte e gatshme të mbështeste qeverinë e Kurtit deri në parlament, pa marrë poste, por kjo nuk u mor parasysh.
“Zotit Kurtit, në ditën e parë ia kam dhënë 3 vota pa pasur asnjë obligim ndaj Nismës dhe pa asnjë marrëveshje, pa poste. I kam ofruar gatishmërinë e Nismës që ta votojë qeverinë e tij të pakicës pa marrë pjesë në qeveri dhe pa marrë asnjë post, pa biseduar. Kështu i kam thënë që nga dita e parë: çfarë po kërkoni nga unë, votat apo partneritet? Nëse jeni të interesuar vetëm për votat e Nismës, i keni, pa asnjë obligim ndaj nesh. Nuk dua që kryeministri të jetë në siklet për 3 vota; ne jemi të gatshëm t’i japim ato. Kam qenë i bindur që votat tona nuk duhet të provokojnë zgjedhje, por të forcojnë zgjidhjen për vendin, jo për kryeministrin. Nëse doni partneritet, kjo është temë tjetër. Për partneritetin, si na shihni ne? Unë i kam thënë Kurtit se nuk jam i interesuar të futem në qeveri. Ne jemi të gatshëm për partneritet deri në parlament, duke mbështetur qeverinë e tij. Takimi im i parë pas zgjedhjeve, më 9 shkurt, ka qenë me kreun e PDK-së; kam qenë i interesuar për një qeveri të ish-opozitës. I thashë edhe atij se nuk dua të jem pjesë e qeverisë dhe nuk kam pasur asnjë rezultat për përpjekjet për një qeveri nga ish-opozita” tha Limaj.
Limaj: Kurti më takoi dhe më njoftoi se Dimal Basha do të nominohet për ministër
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se Vetëvendosja nuk ka shumicën parlamentare dhe se përpjekjet e partisë së tij për të kontribuar në krijimin e institucioneve janë injoruar. Ai kritikoi lojërat politike dhe mungesën e përgjegjësisë nga forcat kryesore politike, duke përfshirë edhe ndryshimet e papritura të Kurtit dhe të partive të tjera në ditët e para të procesit.
“Jemi takuar të dielën në ditën para votimit të Qeverisë, më ftoi për të dhënë një informacion që më pas u bë publik, se Dimal Basha largohet nga pozita e kryetarit. Biseda zgjati pak minuta dhe nuk më bindën. Vullneti ynë dhe dëshira jonë ka qenë gjithmonë e prirur për marrëveshje, por nuk u respektua; është një tërheqje e njëanshme nga marrëveshja,” tha Limaj.
“Kam parë tallje nga forcat e ndryshme politike. Është fatkeqësi që gjithë potenciali që qytetari ka dhënë nuk po përdoret. Ne kemi pasur 3 vota dhe kemi mundur dhe përpjekur që t’i forojmë vendit dhe t’i ofrojmë kontributin tonë për institucionet, pavarësisht se muajt e fundit kemi qenë të kryqëzuar,” deklaroi Limaj.
Limaj tutje ka kritikuar Vetëvendosjen për mungesën e shumicës parlamentare dhe për lojërat politike që po zvarrisin procesin e formimit të qeverisë. Ai thekson se në ditën e parë VV kishte 61 vota të mundshme, por pasdite gjërat ndryshuan dhe nuk u arrit të krijohej shumica e nevojshme për qeverinë.
“Në ditën e parë, i kanë pasur votat – 61 vota. Ato vota ishin aty gjatë asaj dite, por pasdite dolën mesazhe dhe gjërat u ftohën. Nuk kam parë një shumicë parlamentare që mund të krijonte qeverinë,” tha Limaj.
Limaj kritikon Osmani: Nuk duhet të futet në lojën e partive
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se për partinë e tij çështja e një mandatarit të ri është e mbyllur.
Ai kritikoi mungesën e pjekurisë politike te forcat e mëdha dhe paralajmëroi se Presidentja Osmani duhet të respektojë plotësisht autorizimet kushtetuese, pa u bërë pjesë e lojës së zvarritjes së zgjedhjeve.
“Për Nismën, kjo temë është e mbyllur, moti. Për mua do të ishte mirë të bëhej diçka me forcat e mëdha politike, por duket se nuk ka pjekuri për të arritur një rezultat. Kam përshtypjen se ajo që ndodhi sot është një moskryerje e punës, për të zvarritur zgjedhjet. Për mua është legjitime çfarë kanë bërë forcat politike. Une pres, dhe dëshiroj të pres, që Presidentja të mos futet dhe të mos bëhet pjesë e kësaj loje, e asnjë forcë politike. Osmani duhet të respektojë plotësisht autorizimet e veta kushtetuese. Nëse Presidentja nuk ka asnjë fakt që të demonstrojë se ka ndryshuar gjendja prej të dielës, nuk duhej të jepte mandatarin e dytë, sepse po e shkel Kushtetutën. Presidentja e ka të qartë se asgjë nuk ka ndryshuar nga mandati i parë; nuk ka parë asnjë forcë politike që të ketë ndryshuar mendimin, asnjë deputet,” tha Limaj.
”As me Konjufcën si ka votat” Limaj: Po t’i kishte numrat Kurti do të ishte kryeministër
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në ”Click” të RTV21 tha se situata politike nuk ka ndryshuar dhe qëndrimi i partisë së tij mbetet i njëjtë.
Ai kritikoi Vetëvendosjen për mungesë të shumicës parlamentare dhe për lojëra zvarritjeje, duke theksuar se nuk ka pasur përpjekje serioze për të nxjerrë vendin nga kriza.
“S’ka gjë të re, nuk ka ndryshuar asgjë vazhdojmë me qëndrimin e njëjtë. E them prap mund të pimë kafe sa herë të duam, por për të bërë diçka në këtë drejtim nuk ka kohë dhe nuk ka hapësirë. S’ka numra. Po të kishte vota, Kurti do të ishte kryeministër – njeriu që ka udhëhequr betejën. Ai ka ndryshuar kandidatin, nuk ka pasur negociata, vetëm një taktizim, një lojë zvarritjeje për qëllime të ngushta. Nuk është përpjekje serioze për t’i ofruar vendit zgjidhje. Që tash e sa muaj kanë munguar përpjekjet serioze. Nuk kemi pasur asnjë lloj negociimi për të nxjerrë vendin nga kjo gjendje, dhe mandatari i ri më pas mund të mos votohet,” tha Limaj.
Limaj për Konfjucën, ”Mund të pimë kafe, por nuk ka votë”
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj komentoi procesin e votimit për Konjufcën, duke theksuar se qëndrimi i tij mbetet i njëjtë dhe situata nuk ka ndryshuar.
Ai paralajmëroi se vendimmarrja nuk mund të shtyhet më, dhe se kohët për diskutime të pafundme kanë mbaruar. Limaj tha se vonesat dhe diskutimet e kota nuk sjellin zgjidhje, duke kërkuar veprim konkret dhe vendimtar.
“S’ka gjë të re, nuk ka ndryshuar gjë. Vazhdojmë me të njëjtin qëndrim. Mund të pimë kafe sa herë të duam për të diskutuar, por për të bërë diçka në këtë drejtim nuk ka kohë, nuk ka hapësirë më,” tha Limaj.
Limaj: VV s’ka shumicë, Osmani nuk mund t’i shtyjë zgjedhjet
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka bërë të qartë se Vetëvendosja nuk ka shumicë parlamentare dhe se Presidentja Osmani duhet të shpallë zgjedhjet. Ai tha se të gjitha qëndrimet e partive janë bërë publike në takimin me Presidenten dhe se vonesat në krijimin e qeverisë janë rezultat i mungesës së vullnetit politik për marrëveshje.
“VV nuk i ka votat. Të gjitha u deklaruan në takim se nuk kanë shumicë parlamentare. Qartë u bë e ditur për Presidenten se, fatkeqësisht, nuk ka vullnet politik për marrëveshje, dhe pastaj kërkesa ishte që Osmani t’i shpallë zgjedhjet. Presidentja nuk mund t’i ndalë zgjedhjet, përpjekjet u dhanë për t’i bërë që 8 muaj, por ajo nuk mund të ketë rol në mungesë të vullnetit politik. Vetëm nëse do të kishte vullnet, do të mund të formohej një shumicë atë ditë nga Presidentja. Të gjithë kërkuan nga Presidentja që të mos e zvarrisë datën. Situata nuk është e re, është e vjetër dhe ne e kemi ditur gjithmonë. Nuk ka situatë të re apo një emër të ri; para disa ditësh kreu i partisë që ka fituar shumicën e votave, Kurti, ka udhëhequr një betejë dhe ka fituar. Ai nuk arrin të krijojë shumicë, dhe tashmë jemi futur në një lojë të zvarritjes. Por situata e re nuk ka,” tha Limaj.
Limaj: Nisma nuk do ta votojë Konjufcën
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në ”Click” të RTV21 tha se për partinë e tij çështja e një mandatarit nga LVV-ja është e mbyllur dhe qëndrimet janë bërë të qarta në takim me Presidenten. Limaj theksoi se, duke pasur parasysh përvojën e tij politike, pozicionet e partive janë më të qarta se kurrë, dhe në situatën aktuale nuk ka mundësi për krijimin e një shumice parlamentare.
Limaj nënvizoi se Presidentja Osmani duhet të ushtrojë detyrën kushtetuese dhe të shpallë zgjedhjet e reja.
“Besoj se qëndrimet tona i kemi bërë publike aty ku duhet – te Presidentja. Pas dështimit të themelimit të qeverisë të dielën e fundit, kemi përgjigjur ftesës së saj dhe i kemi dorëzuar të gjitha njoftimet tona publike. Duke marrë parasysh përvojën time politike, këtë herë qëndrimet kanë qenë më të qarta se kurrë më parë, po ashtu edhe pozicionet e partive politike. Në takimin me Presidenten kemi deklaruar se ajo duhet ta ushtrojë detyrën e vet kushtetuese dhe t’i shpallë zgjedhjet, përjashtim bën vetëm partia e parë, e cila ka kërkuar kohë, por nuk i ka pasur votat as në fillim. Është e pamundur që në situatën aktuale të krijohet një shumicë parlamentare,” tha Limaj./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?