Linja Prishtinë-Graçanicë nuk mund të fillojë edhe një vit

Në stacionet e autobusëve në komunën e Graçanicës, nuk ka një linjë direkte që do t’ua mundësonte qytetarëve të kësaj komune të udhëtonin për në Prishtinë.

Edhe pse marrëveshja e inicuar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u bë në gusht të vitit të kaluar, autobusët ende nuk kanë filluar pu8nën në linjën Prishtinë-Graçanicë. Qytetarët e Graçanicës shprehin nevojën për një transport direkt për në Prishtinë.

“…Prishtina dhe Graçanica janë larg njëra tjetrës vetëm 7 kilometra, nuk është edhe shumë larg por është mëse e nevojshme të hapet linja e re Graçanicë-Prishtinë, si për qytetarët e Prishtinës të vijnë në Graçanicë, por edhe ne të shkojmë atje. Kjo është e mirë edhe për qytetarët e vjetër dhe të rinjë, kjo është një ide shumë e mirë…”

“…patjetër që na duhet një linjë direkte prej Graçanicës në Prishtinë. Shumë njerëz nuk kanë automjete, dhe kanë nevojë, që të shkojnë në Prishtinë, është mirë për të gjithë që të ketë një linjë për Prishtinë, në mënyrë që transporti të jetë i sigurtë, në të ardhmen e afërt do të ishte mirë të rregullohet edhe metro. Sa më shpejtë që të realizohet ky projekt do të ishte më mire për të gjithë qytetarët e Kosovës…”

Nënkryetari i Komunës së Graçanicës vlerëson iniciativën e kryetarit Rama për këtë linjë, pasi siç thotë ai është një kërkesë në rritje e sipër nga qytetarët e Graçanicës, shumica e të cilëve punojnë në kryeqytet dhe e kanë të domosdoshëm udhëtimin.

“…Arsyeja sipas Komunës së Prishtinës është se aktualisht nuk ka autobus, dhe jemi duke pritur autobusët e rinj që priten të vijnë shumë shpejt, prandaj edhe jemi në pritje, pasi për qytetarët tanë është jetike kjo linjë. Kërkesa është shumë e madhe, dhe vazhdimisht shkon duke u rritur, pasi që pjesa më madhe e qytetarëve tanë punojnë dhe veprojnë në Prishtinë…”

Autoritetet në Prishitnë e pranuan se deri në fundin e vitit të ardhshëm nuk mund të fillojë punën linja e re e autobusëve Prishtinë-Graçanicë. Drejtori i shërbimeve publike në Prishtinë, Ilirik Musliu tha se autobusët aktual të trafikut urban nuk janë të mjaftueshëm që të ndahen edhe për komunën e Graçanicës.

“…bashkë me ekipin me sektorin e mobilitetit parashihet që deri në fund të vitit me u përfundu riorganizimi i linjave ekzistuese, shtimi i linjave të reja, ju e dini që e kemi nënshkru kontraten për floten e re për blerjen e 30 autobusëve të ri, andaj ky riorganizim, ky shtim i linjave të reja do të bëhet edhe pra sipas kapaciteteve të cilat do i kemi me autobusë të rinjë, autobus të cilët i kemi për momentin nuk na ofrojnjë një mundësi të tillë pra me fillu edhe pse dikun 80% e punëve është kry në riorganizim edhe shtim të linjave të reja mirëpo me kapacitetet të cilat i kemi ajo nuk mundet me u implementu, andaj duhemi me pritë flotën e re të autobusëve dhe pastaj me fillu me implementim…”

Komuna e Prishtinës, vitin e kaluar nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me komunën e Graçanicës, marrëveshje e cila obligon të ofroj linjë të re autobusësh për Graçanicën. Përveç kësaj komune, Prishtina po shton numrin e linjave të reja edhe për Komunën e Obliqit dhe disa fshatrave përreth./21Media

Back to top button