Lipa: Më thonë s’ke shtet e identitet, e vështirë të mos flas kur më mohojnë identitetin
Artistja shqiptare, Dua Lipa së fundmi ka realizuar një intervistë për WSJ Magazine, ku nuk është lënë pa u përmendur edhe Kosova.
Vitet që lamë pas kanë qenë një sukses i jashtëzakonshëm për Duan.
Kujtojmë, çmimet “Grammy” të cilat Lipa i fitoi si artistja e re më e mirë, pas suksesit me ‘New Rules’.
Më pas albumi “Future Nostalgia” i cili doli “në një kohë pa kohë”, pikërisht në kohën kur bota ishte në kaos për shkak të Covid-19, kështu Duas i duhej të vendoste nëse do e publikonte albumin apo jo.
“Unë kam gjithmonë këtë këndvështrim që duhet të jesh jashtë zonës tënde të rehatisë që gjërat të jenë të dobishme. Të gjithë ishin të shqetësuar nëse duhet ta publikonim albumin, thash ndoshta është pikërisht ajo që na nevojitet. Ndërsa të gjithë janë në shtëpi, ndoshta ky është albumi që duhet të nxjerrim. Ishte e frikshme, sepse nuk e kishe idenë se sa do të qëndronim në këtë pandemi. Gjithçka ishte një pikëpyetje e madhe. Por kisha një ndjenjë se ne thjesht duhej ta bënim atë”, ka thënë Lipa.
Lipa ka ruajtur një lidhje të fortë me vendin e saj, Kosovën duke organizuar “Sunny Hill Festival”, ku kanë qenë të ftuar edhe artistët si Miley Cyrus e Calvin Harris.
“Duke pasur parasysh prindërit e mi dhe mënyrën se si ata erdhën në Mbretërinë e Bashkuar, (situata e refugjatëve) ka qenë gjithmonë diçka që më është shumë afër zemrës. Kam lexuar shumë komente nga njerëzit që më thonë se nuk kam shtet, nuk kam identitet, Kosova nuk ekziston. Kam jetuar në Kosovë, i di jetët që kanë humbur. Pra, që dikush të më mohojë identitetin dhe përvojën time, është e vështirë për mua të qëndroj prapa dhe të mos flas për këtë. Kështu që kjo është diçka që unë do ta bëj gjithmonë”, ka thënë Lipa për WSJ Magazine.
Nëntorin e kaluar, ajo u nderua në Uashington, DC, nga Këshilli Atlantik, një institut kërkimor për çështjet ndërkombëtare, për angazhimin e saj për të “fuqizuar gjeneratën e ardhshme të liderëve dhe muzikantëve ballkanikë”./21Media