​Lirimi i Nasim Haradinajt, flet bashkëshortja e tij: Ishte një befasi e madhe

Gjejlone Haradinaj, gruaja e ish-pjesëtarit të UÇK-së dhe ish-nënkryetarit të OVL-të UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka rrëfyer momentet kur ajo takoi bashkëshortin e saj pas lirimit të tij nga Haga.

Gjejlone Haradinaj, gruaja e ish-pjesëtarit të UÇK-së dhe ish-nënkryetarit të OVL-të UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka rrëfyer për KosovaPress momentet kur ajo takoi bashkëshortin e saj pas lirimit të tij nga Haga.

Mes emocioneve, ajo shprehet jashtëzakonisht e lumtur me ardhjen e Nasimit, ndërsa uron që drejtësi të ketë edhe për bashkëluftëtarët e tjerë që ndodhën padrejtësisht në Hagë.

Ajo kritikon sjelljen e misionit evropian EULEX karshi saj, të cilën e quan arrogante e të padrejtë, duke thënë se nuk e lejuan të dalë as nga vetura.

“Sot nuk e kam pritur, sepse nuk na kanë lajmëruar, as avokatin, as ne. Ka qenë një befasi jashtëzakonisht e madhe, por mënyra si e kanë sjellë, nuk ka qenë në rregull. Jam ende në shok, sepse as nuk kanë treguar se është në Kosovë, kanë thirr një shok të Nasimit që ia ka dhënë numrin atij dhe timin, mirëpo mua nuk më kanë kontaktuar, kjo nuk më duket njerëzore. Ai nuk ka ditë çfarë të thotë, sepse e kanë kërcënuar, i kanë thënë të mos tregojë, por më në fund Nasimi erdh… Jam pak me emocione dhe më ka shokuar sjellja e EULEX-it, sjellje arrogante. Unë jam personi që është dashur të informohem dhe të kontaktojnë, ose me mua ose avokatin… Ata sot më kanë kujtuar kohën e Serbisë, mënyrën e policisë serbe, njëjtë pa pikën e ndjenjave… Na kanë thënë pritni këtu. Aty nuk ka qenë Nasimi, më pas na kanë torturuar të shkojmë me atë personin sërish diku tjetër pas tyre, as nuk janë ndalë të na sqarojnë ndonjë gjë, përveç që të shkojmë pas tyre, thosha çfarë po ndodh… Na kanë thirr të takohemi në një vend, dhe aty kemi shkuar, kemi pritur më shumë se një orë në një vend rreth Gjakovës. Më pas kanë thënë hipni në veturë, se a është dikush, sepse nuk kanë dashur të shohin media ose njerëz, pavarësisht se erdhën tash. Mirëpo, nuk e di qëllimin e tyre, por mendoj se ta torturojnë familjen…Polica e EULEX-it nuk dëshironin të më lejojnë të dalë prej veturës, por unë thash se jam qytetare e lirë dhe dalë, dhe dola”, rrëfen Haradinaj.

Përtej këtyre problemeve gjatë takimit me bashkëshortin, ajo tregon sfidat qe ka hasur gjatë kohës sa Nasimi ishte në Hagë. Sëmundje e rëndë, vdekja e vëllait të Nasimit janë vetëm disa nga sfidat që ajo përjetoi për rreth tre vjet.

“Nuk ka qenë aspak e lehtë për shkak se kanë ndodhë shumë gjëra në jetën tonë. Kam qenë e sëmurë prej kanceri, vdekja e kunatit, Nasimin nuk e kanë lejuar të vijë, por sërish nuk kanë mundur të na nënshtrojnë, absolut jo”, tha ajo.

Ajo thotë se pret me padurim që edhe bashkëluftëtarët e Nasimit të lirohen sa më shpejt nga Haga, pasi ata po mbahen atje padrejtësisht.

“Sot gjithë ditën e kam pas mendjen tek ata. E di që do t’iu mungojë Nasimi, por i pres me gëzim që të dalin edhe ata. Bashkëndjejmë me gjithë familjarët, sepse e di çfarë ndjenje është, derisa edhe i fundit është aty. Nuk pres shumë drejtësi prej aty, derisa asnjë serb nuk ulet aty që ka bërë krime e gjenocid në Kosovë, ndërsa ata që kanë çliruar vendin ndodhën aty”, tha ajo.

Gjejlone Haradinaj tregon edhe momentin kur fëmijët e saj që ndodhen jashtë vendit e kuptuan momentin e lirimit të Nasimit.

(Fëmijët) e kanë prit mirë, por tashmë janë duke u përgatitur të vinë derisa t’i gjejnë biletat, të gjithë, sepse gjithë familjarët i ka jashtë”, përfundon Haradinaj.

Haradinaj u lirua me kusht nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Në vendim thuhet se pasi është shqyrtuar tërësia e informacionit që është paraqitur, përfshirë raportin, është vendosur që për lirimin e Haradinajt në përputhje me rregullën 196 të Rregullores dhe nenin 11 të Udhëzuesit të Punës, për pjesën e mbetur të dënimit të shqiptuar nga Paneli i Gjykatës së Apelit, me zbatimin e disa kushteve.

Haradinaj është zotuar se “nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij”./kp

Back to top button