Lirohen katër çekët që u kapën duke fotografuar në uzinën e Poliçanit

Katër shtetasit çekë që u kapën dje në zonën e ndaluar të uzinës së Poliçanit, ku dy prej tyre ishin futur në një tunel dhe dy të tjerë po shkrepnin fotografi, janë lënë të lirë nga policia.
Ata kanë pretenduar se janë turistë dhe janë ngatërruar në tunelet e ish-uzinës së armëve, por prokuroria e Beratit do të vijojë hetimet.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se rreth orës 08:40 të mëngjesit të 21 gushtit 2022, tek një nga tunelet në Uzinën e Poliçanit, janë konstatuar lëvizje të personave të paidentifikuar.
Menjëherë Policia Ushtarake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë izoluar hyrjet e tuneleve të cilët janë pothuaj se të gjithë komunikues me njëri-tjetrin dhe pas kërkimeve kanë ndaluar dy persona me kombësi çeke.
Rreth orës 12:30 në distancë 1.5 km larg tuneleve jashtë perimetrit të rrethimit të repartit u konstatuan dhe shoqëruan edhe dy shtetase te kombësisë çeke, bashkëjetuese të dy shtetasve të mësipërm./oranews

Back to top button