Lirohen nga paraburgimi tre të arrestuarit për aferën e rezervave shtetërore

Dy zyrtarët e shtetit, Irfan Lipovica dhe Haviz Gara si dhe biznesmeni Rdvan Muharremi janë liruar nga paraburgimi pasi ishin arrestuar si të dyshuar për dallavere me blerjen e rezervave shtetërore.

Vendimin për lirimin e tyre nga paraburgimi e ka marrë Gjykata e Apelit.

Kjo është konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” nga avokati i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi.

“Tretë janë liruar”, ka thënë Halimi, për Betimi për Drejtësi”.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit thuhet se të dyshuarit lirohen menjëherë të mbrohen në liri.

“Me aprovimin e ankesave të mbrojtësve të pandehurve Irfan Lipovica., av. Durim Osmani dhe av.Feim Alaj, Haviz Gara , av. Bekim Kelani dhe Ridvan Muharremi, av.Mahmut Halimi, NDRYSHOHET aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, PPPS.nr.35/2023 i datës 19.08.2023, ashtu që të pandehurve I.L., H.G .dhe R.M., ju ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njëjtit lirohen menjëherë për t’u mbrojtur në liri, sot me datë 31.08.2023”, thuhet në vendimin e Apelit.

Një ditë pasi ishin arrestuar, më 19 gusht, Gjykata Themelore në Prishtinë ua kishte caktuar nga një muaj paraburgim dy zyrtarëve Haviz Gara dhe Irfan Lipovica si dhe biznesmenit Ridvan Muharremi që ishin arrestuar për aferën e rezervave shtetërore.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte gjetur se përpos procedurës së kundërligjshme që është ndjekur në blerjet e rezervave shtetërore ka edhe shkelje të tjera pasi malli i paguar s’ka mbërritur në Kosovë.

Kështu, sipas dosjes së Prokurorisë të cilën e ka publikuar “Betimi për Drejtësi”, pavarësisht se janë paguar paratë te kompanitë turke e polake për grurë, vaj e sheqer në Kosovë nuk kanë ardhur kurrë 200 mijë litra vaj, 120 mijë kg sheqer dhe 52.5 tonë grurë.

Vlera e këtij malli që nuk ka mbërritur në Kosovë sipas Prokurorisë është mbi 600 mijë euro.

Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se biznesmeni Ridvan Muharremi ishte personi kyç që kishte zhvilluar negociatat me operatorët ekonomikë për blerjen e grurit, vajit e sheqerit.

Prokuroria Speciale nisi të premten e 18 gushtit aksionin për bastisjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe shkoi edhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.

Ministrja Rozeta Hajdari kishte thënë se dy zyrtarët e MINT janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare..

Në mbrëmjen e së premtes kur ishin arrestuar të dyshuarit, Kryeministri Albin Kurti pati publikuar një video-mesazh, me të cilin ka akuzuar sistemin e drejtësisë së po tenton që të rikthejë në pushtet ish-kastën e kalbur politike. Kishte thënë se Rozeta Hajdari nuk është shkelëse e ligjit dhe nuk ka korrupsion te rezervat shtetërore./BetimipërDrejtësi

Back to top button