Lirohet nga paraburgimi 16 vjeçari kosovar, dyshohej për sulmin terrorist në Vjenë
Autoritete austriake liruan dje nga paraburgimi 16 vjeçarin kosovar, i cili dyshohej se kishte marrë pjesë në sulmin terrorist të dy nëntorit në Vjenë, ku humbën jetën 4 persona dhe u plagosën 23 të tjerë.
I riu nga Kosova akuzohej se ishte pjesëtar i grupit të xhihadistëve, ISIS dhe se kishte marrë pjesë në sulmin terrorist të Vjenës.
Pas hetimeve të policisë austriake, nuk u arrit të vërtetohet se i riu ishte përfshirë në sulmin terrorist.
Sipas Die Press, 16 vjeçari nuk ka pranuar të zbulojë kodin e telefonit para hetuesve. Gjatë marrjes në pyetje ai ka qëndruar gjithmonë i heshtur. Kodi i telefonit nuk u zhbllokua as nga ndihma e Europol-it.
Megjithatë i riu duhet të përballet ende me ligjin austriak për shkak të anëtarësimit në ISIS.
Përfaqësuesi ligjor Philipp Wolm thekson se, dyshimi i përfshirjes në terrorin e Vjenës tashmë është jashtë tryezës. 16-vjeçari do të duhet të jetojë me prindërit e tij në Vjenë./oranews