Lirohet veterani i UÇK-së që u ndalua në Shqipëri

 

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla  ka njoftuar se është liruar veterani i UÇK-së i cili u ndalua në Shqipëri pas një kërkese që Serbia kishte dërguar në INTERPOL..

“Me të lexuar njoftimin nga z. Hysni Gucati, rreth ndalimit të ish luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z.Murtez Kastratit, kam kontaktuar menjëherë homologun shqiptar z.Gent Cakaj, i cili ka vepruar shpejtë dhe ka sqaruar që z. Kastrati është ndaluar për verifikim dhe liruar para 2 orësh.
Është e papranueshme se si Serbia shtiret ndërkombëtarisht për kinse ‘konstruktivitet’ ndaj Kosovës, ndërsa posa mbyllen dyert e të ashtuquajturit dialog, vazhdon veprimet ilegale kundër Kosovës.”. shkroi Haradinaj Stublla.

Tutje ajo u zotua se t’u vë në dispozicion autoriteteve të Shqipërisë, listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të mos ndodhur më një gjë e tillë.

“Kërkesat e Serbisë përmes INTERPOL-it duhet të azhurnohen nga autoritet e Shqipërisë, dhe të reflektojnë realitetin politik e ligjor të Kosovës. Do të angazhohemi bashkë me organizatat e dala nga lufta që menjëherë Qeveria, respektivisht MPJD dhe MPB e Republikës së Kosovës, t’u vë në dispozicion autoriteteve të Shqipërisë, listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Në bashkëpunim të ngushtë me homologun Cakaj, do të veprojmë konform kompetencave tona ligjore e kombëtare, që të mos lejojmë turpërimin e maltretimin e shqiptarëve para kërkesave të tilla jolegjitime dhe joligjore të Serbisë. Përkrahja e vlerave të UÇK-së dhe pastërtisë së saj, nuk është vetëm çështje deklaratash!”, përfundoi ministrja.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka njoftuar se një veteran i UÇK-së është ndaluar sot nga policia e Shqipërisë me kërkesë nga Serbia./21Media

Back to top button