Lista Serbe: Shikoni me përbuzje ata që dalin të votojnë

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – u bëri thirrje serbëve nga veriu i vendit që t’i “bojkotojnë plotësisht” zgjedhjet lokale, të planifikuara për të dielën, më 23 prill.

Në deklaratë thuhet se kjo parti i bën thirrje “të gjithë popullit serb” që të qëndrojë i qetë të dielën dhe të mos bjerë në “provokimet e regjimit të [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurti”, qëllim i vetëm i të cilit, siç tha, është “dëbimi i serbëve nga veriu”.

Në deklaratën e saj, po ashtu, thuhet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “dëshiron t’i pushtojë komunat e veriut të Kosovës” përmes “kryetarëve pushtues”.

Për asnjërin prej këtyre pretendimeve, Lista Serbe nuk solli ndonjë provë që do t’i mbështeste ato.

“Serbët duhet t’i shikojnë me përbuzje të gjithë ata që planifikojnë të dalin dhe të marrin pjesë në këtë proces të paligjshëm zgjedhor, që është kundër interesave të popullit serb”, tha Lista Serbe.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se përpjekjet për të penguar zhvillimin e zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës, nëpërmjet frikësimit ose çfarëdo kërcënimi apo përdorimi të dhunës, do të përballen me dënim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar. Në një përgjigje me shkrim për RTV21, Ambasadori Hovenier tha se qytetarët në veri të Kosovës dhe të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi për të respektuar procesin demokratik, marrë parasysh se të gjithë kanë pasur mundësinë të regjistrohen dhe të marrin pjesë.

Të dielën e 23 prillit, zgjedhjet e parakohshme lokale mbahen në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – të gjitha të banuara me shumicë serbe.

Back to top button