Lista Serbe: Tomaniq dhe shefi i saj Kurti e dinë shkakun e zjarrit para çdo hetimi

Para dy ditësh është djegur në Zveçan lokali i nënkryetares së kësaj komune Natasha Tomaniq. Pas kësaj ngjarje, Tomaniq tha se nuk frikësohet nga Lista Sebe dhe strukturat kriminale në veri. E nga kjo parti politike thanë se dënojnë ashpër akuzat nga Tomaniq, pasi siç thonë ata janë të rrejshme.

Nga kjo parti thonë se Tomaniqi e ka shef Albin Kurtin, teksa shtuan se të dy e dinë shkakun e zjarrit para çdo hetimi.

“Është interesant fakti se Natasha Tomaniq, ashtu si shefi i saj Albin Kurti, e dinë shkakun e zjarrit para çdo hetimi dhe rezultatet e shërbimeve të ekspertëve”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Tutje në këtë reagim thuhet se Lista Serbe është duke luftuar për mbrojtjen e popullit serb dhe se komuniteti ndërkombëtar është duke bërë presion të madh mbi pushtetin në Kosovë.

“Në kohën kur ne po luftojmë për ruajtjen e popullit serb dhe kur presioni i komunitetit ndërkombëtar mbi regjimin në Prishtinë nuk ka qenë kurrë më i madh, ne kemi bërë thirrje për paqe të panumërta, të vetëdijshëm se ngjarje të tilla nuk janë në favor të popullit tonë, por fakti është se ata janë në favor të Kurtit për të larguar vëmendjen e publikut nga presioni që është nën të dhe për të justifikuar praninë e trupave pushtuese në zonat serbe në veri të Kosovës…”, thuhet në shkrimin e Listës Serbe.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për djegien e dyqanit të nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq./21Media

Back to top button