LIVE – Dhjetëra automjete të KFOR-it nisen në veri

(Lajm i përditësuar)

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në orët e pasdites, protestat pranë objekteve të tri komunave në veri të vendit, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan kanë përfunduar, duke përjashtuar një numër të vogël të protestuesve që vazhdojnë të qëndrojnë pranë komunës së Leposaviqit.

Sipas policisë pengimi i gazetarëve në kryerje të detyrës, cenimi i shprehjes së lirë, pengimi i pasqyrimit të situatës reale, si dhe dëmtimi i automjeteve janë veprime kriminale, të cilat do të hetohen.

“Sot, situata e sigurisë në veri të vendit ka qenë e brishtë, por kryesisht e qetë, përjashtuar në komunën e Leposaviqit ku kohë pas kohe është tensionuar, pasi protestuesit/grupet kriminale, kanë penguar dhe sulmuar me gjësende të ndryshme, të forta gazetarë të mediave të ndryshme. Po ashtu edhe disa vetura të mediave, të cilat kanë qenë të parkuara në lokacione të ndryshme, janë sulmuar dhe dëmtuar nga mjetet e forta të hedhura brenda dhe jashtë veturave”, thuhet në njoftimin e Policisë.


Dhjetëra automjete të KFOR-it nisen në veri

Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar, kjo ka bërë që edhe KFOR-i të rrisë numrin e trupave të saj.

Në një video shihen dhjetëra automjete të KFOR-it të cilat tashmë janë nisur në drejtim të veriut të vendit.

RTV21 ka siguruar pamje.


Përfundojnë protestat në Zveçan e Zubin-Potok

Protestat e grupeve të serbëve lokalë në Zubin-Potok dhe Zveçan kanë përfunduar për të martën.

Ndërkaq, në Leposaviq po vazhdohet të protestohet, ndonëse aktualisht nuk ka protesta të dhunshme në këtë komunë.

Sipas informatave nga terreni, edhe pse ka ende protestues në Leposaviq, ata po qëndrojnë të qetë për shkak të motit të keq që po mbizotëron atje.


Situatë e qetë në Zveçan, numër më i vogël i protestuesve

Aktualisht në Zveçan situata është e qetë dhe numri i protestuesve është më i vogël. Nga protesta janë larguar përfaqësuesit e Listës Serbe.

Ndërsa është parë ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, teksa ka qëndruar disa minuta.

Situata po vëzhgohet edhe nga një helikopter i KFOR-it.

Një ditë më parë, pjesëtarët e KFOR-it janë ballafaquar me protestuesit ku këta të fundit kanë hedhur mjete të ndryshme në drejtim të tyre duke i lënë të lënduar rreth 30 ushtarë.

Protestuesit serb po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.


Hovenier: Qeveria nuk i koordinoi veprimet e së premtes me SHBA-në

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë në një takim me disa gazetarë në Prishtinë, se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra të premten.

Atë ditë, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës, kanë hyrë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.

Komunat, Zubin Potok, Leposaviq, dhe Zveçan, janë të banuara me shumicë serbe, dhe banorët lokalë atje kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve të rinj nëpër ndërtesa, të cilat funksionojnë sipas sistemit serb.

“Kur kemi marrë vesh, kemi reaguar ashpër kundër. Vendimi ka pasur ndikim negativ në reputacionin e Kosovës, dhe i ka kthyer mbrapsht përpjekjet drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Hovenier e ka cituar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kur ka thënë se vendimet e fundit të Qeverisë, janë duke ndikuar në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Ne i kemi kërkuar [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti që të marrë hapa drejt uljes së tensioneve në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Ne jemi duke analizuar se cilat do të jenë veprimet tona”.

Ambasadori amerikan ka thënë se stërvitje në kuadër të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe ’23”, nuk do të ketë për Kosovën.

“Sot nuk ka pasur aktivitet për Defender Europe ’23, dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë përfunduar”.


15: 30-Rexhaj: Kryetarët e rinj duhet t’i kryejnë detyrat në objekte komunale

Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, thotë se situata në veri duhet të shtensionohet nga vetë  ata që e kanë krijuar e që, sipas saj, janë struktura kriminale të dirigjuara nga Lista Serbe dhe presidenti , Vuçiq.

Deputeti Arbër Rexhaj, thotë se kryetarët e rinj duhet  t’i kryejnë detyrat e tyre në objektet komunale.

“Ata nuk ishin protestues por struktura ilegale  të dirigjuara nga Radojçiqi dhe Vuçiqi, të cilat treguan fytyrën e vërtetë ose ta themi me drejtë atë që përherë thonim se kishim të drejtë. Mendoj se këndi i argumenteve të qeverisë u përplotësua dje në këndvështrimin e asaj se kryetarët e komunave sigurisht që detyrat duhet t’i kryjen në objekte komunale…Nuk ishte protestë e pakënaqësisë së qytetarëve civil e njerëzve të zakonshëm por kishte akte banditeske që me çdo kush donin sfidimin e rendit kushtetues dhe ligjor të Kosovës. Shtensionimi i situatës vie pikërisht nga ata që e krijojnë tensionin në  këtë rast nga strukturat kriminale të Listës serbe e të Vuçiqit”, tha Rexhaj për RTV21.

Ai foli edhe për reagimet e ashpra të faktorit ndërkombëtar sidomos të SHBA-së, duke thënë se i mirëkuptojnë reagimet dhe shqetësimet e tyre por që nuk mund të bien pre dhe të stepen prapa kërcënimeve e shantazheve të strukturave ilegale kriminale serbe.


15: 10-NATO-ja angazhon forca shtesë në Kosovë

Pas situatës së krijuar në Veri  ë Kosovës aleanca veri-atlantike NATO ka marrë vendim për angazhim të Forcës Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë në gjendje gatishmërie për angazhim.

Ky vendim sipas NATO-s ishte pas lëndimit të 30 pjesëtarëve të KFOR-it.

“NATO vendos forca shtesë në Forcën e Kosovës në përgjigje të trazirave të fundit dhe lëndimit të 30 anëtarëve të Forcës së Kosovës të NATO-s, NATO ka drejtuar vendosjen e Forcave Rezervë Operacionale (ORF) për Ballkanin Perëndimor, e cila ishte në gatishmëri shtatë-ditore” thuhet në njoftimin e NATO-s.


15:00-Sulmohet nga protestuesit serbë ekipi i RTV21 në Mitrovicën e Veriut

Ekipi i RTV21 gazetarja Lirie Dibrani dhe kameramani Berat Bahtiri është sulmuar nga serbët derisa po raportonte nga pjesa veriore e Mitrovicës, konkretisht në sheshin Car Llazar.

Po ashtu  duke e sulmuar fizikisht kameramanin Berat Bahtirin, iu është marrë edhe paisja me të cilën ishin duke xhiruar.


14:00-Millosavleviq: Protestat në veri po zhvillohen të qeta, nesër do të jenë masovike

Sërgjan Millosavleviq, ish-kryesues i Kuvendit Komunal në Zveçanin, ka thënë para mediave se protestat po zhvillohen të qeta por tha ai dikush sikur po donë t’i tensionojë ato.

Ai para gazetarëve në Zveçan, tha se ata nuk duan dhunë.

“Sot është një protestë paqësore e qytetarëve tanë, një proces i tillë ka qenë edhe dje, fatkeqësisht dikujt nuk i konvenonte që protesta të jetë paqësore deri në fund. Ne si qytetarë të komunave me shumicë serbe nuk duam tensione, por duam paqe, është e qartë që dikujt tjetër i konvenon të krijojë kaos dhe të sjellë trazira në zonat tona”, tha ai.

Ai ka përsëritur kërkesat për mosardhjen e kryetarëve të ri një objektet e komunave dhe tërheqjen e forcave të policisë nga veriu.

Millosavleviq potencoi edhe lirimin e menjëhershme të të arrestuarve të protestës së djeshme, derisa paralajmëroi se nëse kjo nuk ndodhë, nesër do të ketë protesta edhe më masovike në të gjitha komunat e veriut.

“Ne kërkojmë lirinë për qytetarët tanë të arrestuar padrejtësisht Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, është e drejtë e jona por edhe obligim moral që nëse nuk lirohen, të mblidhemi nesër në të gjitha komunat e veriut të Kosovës në numër më të madh se dje dhe në mënyrë paqësore shprehim pakënaqësinë tonë për shkak të situatës së re”, tha ai.


14: 25- KFOR-i amerikan shton trupat para Komunës së Leposaviqit

Misioni paqëruajtës i KFOR-it ka shtuar trupat para Komunës së Leposaviqit, raporton RTV21.


13:29- ​Sulmohen gazetarët me gjësende të forta në Leposaviq

Gazetarët e medieve të ndryshme janë sulmuar para pak çastesh nga protestuesit serbë në Komunën e Leposaviqit.

Në një transmetim direkt të medieve, shihen disa gra duke tentuar t’i pengojnë gazetaret e RTV Dukagjinit, Kohës  dhe medieve të tjera të raportonin live nga kjo komunë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës nëpërmjet një komunikate njofton se ka kontaktuar menjëherë Policinë e Kosovës, që t’u sigurojë një perimetër të sigurt të raportimit kolegëve tanë.

AGK-ja iu bën thirrje të gjithë kolegëve që të respektojnë udhëzimet e dhëna nga zyrtarët e Policisë së Kosovës që janë prezent atje, dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit.


13:00-Borrell: Kosova t’i pezullojë operacionet e policisë rreth komunave në veri

Kosova duhet t’i pezullojë operacionet e policisë së saj rreth ndërtesave të komunave në veri të Kosovës, si hap i parë për uljen e tensioneve, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“Dua të them se BE-ja e dënon fuqishëm dhunën në veri të Kosovës, që e kemi parë ditëve të fundit. Aktet e dhunës ndaj qytetarëve, mediave, forcave të rendit dhe KFOR-it janë të papranueshme”, tha Borrell për gazetarët në Bruksel.

“Ne, si BE qëndrojmë prapa NATO-s dhe KFOR-it në përmbushjen e mandatit, në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë”, shtoi ai.

Borrell tha se ka biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe se i ka ftuar “ta qetësojnë situatën menjëherë dhe pa kushte”.

Ai, po ashtu, tha se BE-ja pret që palët të angazhohen në dialog dhe ta hapin rrugën për zbatimin e Marrëveshjes drejt normnalizimit të marrëdhënieve.


12:55-Stano: Kosova dhe Serbia  përgjegjëse për dhunën

 Zëdhënësi i i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se përgjegjëse për dhunën në veri janë Kosova dhe Serbia. Ai ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen e gazetarëve se kush i ka sulmuar ushtarët e KFOR-it më 29 maj në Zveçan.

“Përfaqësuesi i lartë [Josep Borrell] është përfaqësues për politikë të jashtme dhe siguri, dhe ai nuk është aty për të konstatuar se kush, kë e ka sulmuar. Ai ka rol për të siguruar që gjithçka të ndërmerret për të ulur tensionet dhe qetësuar situatën. Prandaj, edhe ai po angazhohet për të ulur tensionet. Kjo situatë nuk ka ardhur vetvetiu, por është pasojë e rrethanave dhe zhvillimeve për të cilat janë përgjegjëse të dyja palët”.

30 ushtarë të KFOR-it janë lënduar gjatë protesës  të së hënës në veri, tre prej të cilëve  janë plagosur nga armët e zjarrit.


 

11: 58-Kryetari i Leposaviqit sot punon nga objekti i Zyrës për Komunitete

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci ka nisur zyrtarisht punën e tij në objektin që shërben si zyre e komuniteteve në Lipe të Zveçanit.

RTV21 sjell pamje të këtij objekti.


11:17- MPB: S’ka marrëveshje për tërheqjen e Policisë nga Zveçani

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës mohoi raportimet në media se protestuesit serbë në veri të Kosovës dhe misioni i NATO-s, KFOR, kanë arritur marrëveshje për tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga Zveçani si dhe për lirimin e protestuesve të arrestuar një ditë më parë.

Zëdhënësja e Ministrisë, Nora Fetoshi, në një përgjigje për RTV 21, tha se nuk ka një marrëveshje të tillë dhe se njësitet Policisë së Kosovës do të vazhdojnë të qëndrojnë në krye të detyrës për të ofruar sigurinë në veri të vendit.


11: 05- KFOR merr situatën në kontroll në Zveçan

Gjendja në komunën e Zveçanit aktualisht është e qetë. Siç raporton RTV21 nga vendi i ngjarjes aktualisht KFOR-i ka marrë nën kontroll situatën në Zveçan dhe po ruan objektin e Komunës.

Sipas gazetarit të RTV21 atje, Burim Zariqit mediat janë në një hapësirë me protestuesit serbë, pasi që nga KFOR i  kanë detyruar të largohen nga pjesa ku kanë qenë.


10:55- Osmani në takim me zyrtarin e BE-së për siguri, kërkon përballjen me drejtësinë të bandave kriminale në veri

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se bandat kriminale të mbështetura nga Vuçiqi, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit, prandaj veprimet e tyre të rrezikshme dhe sipas saj këto duhet të dënohen nga të gjithë.

Këto dekalrata Osmani i ka bërë gjatë takimit me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), Charles Fries, i shoqëruar nga Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.

Sipas njoftimit për media nga Presidenca, Osamani vuri theksin në nevojën e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, si hap i domosdoshëm në mënyrë që të sigurohet paqe dhe stabilitet afatgjatë në vend e rajon, ndërsa ka përmendur rëndësinë e sundimit të ligjit dhe përballjen me drejtësinë për bandat kriminale dhe veprimet e tyre të kundërligjshme.

Bëhet e ditur se ndër të tjera, në takim u diskutua për progresin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, me ç’rast Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik. Ne veçanti, Presidentja ka informuar Z. Fries për progresin e bërë në fushën e sundimit të ligjit, që përfshinë edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe për reformat demokratike dhe për përafrimin e plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së. Tutje, Zëvendës Sekretari Fries vlerësoi lart bashkërendimin e Kosovës për dënimin publik dhe sanksionet kundër Rusisë si dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës.


10: 40- Policia nis hetimet për veprimet e djeshme: Situata në veri e brishtë por e qetë

Policia e Kosovës përmes një komunikatë ka njoftuar për situatën  në veri të vendit.

Sipas njoftimit protestat në tri komunat në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan po vazhdojnë edhe sot pranë objekteve komunale, situata aktualisht vlerësohet të jetë e brishtë, por e qetë.

“Referuar rrethanave dhe zhvillimeve të ndodhura dje (29.05.2023), ku protestues, individë/grupe kriminale, me dhunën ekstreme të shfaqur, kanë bërë që situata në aspektin e sigurisë në veri të vendit të përshkallëzohet dhe të degradojë deri në rrezikim të jetës së njerëzve, përfshirë jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë. Protestat në tri komunat në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan po vazhdojnë edhe sot pranë objekteve komunale, situata aktualisht vlerësohet të jetë e brishtë, por e qetë.Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, po vazhdon me angazhime në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave, si dhe po bashkëpunon/koordinon aktivitetet me KFOR-in dhe institucionet relevante. Njëkohësisht njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastet dhe zhvillimet e djeshme.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Kosovës edhe sot fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e thirrjeve për protestë të dhunshme dhe provokime të çfarëdo natyre qofshin ato.


10:30-Tahiri: Vuçiqi ka synim Trepçën dhe Ujmanin

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, duke komentuar zhvillimet në veri  tha se dhuna atje ka një skenar.

Sipas Tahirit, synimi i Vuçiqit janë Trepça dhe Ujmani.

“Skenari i tij është që asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive mbi pasuritë minerale dhe ujin në veri”, tha ajo.

Tahir po ashtu tha Serbia vazhdimisht ka pasur tendenca ndaj këtyre dy resurseve të Kosovës.

“Gjatë shtatë viteve të negociatave në Bruksel, kur isha kryenegociatore Serbia ka shfaqur vazhdimisht tendenca ndaj këtyre pasurive strategjike dhe gjeopolitike të Kosovës, por nuk i kam lënë ta hapin gojën!”, shkroi Tahiri.


10:10-Përfaqësuesit serbë tentojnë ta ndalojnë ekipin e RTV21 të xhirojë

Aleksander Arsenijoviq kryetar i Iniciatives Qytetare Serbe urdhëron që ekipi i #RTV21 te mos xhirojë protestuesit serbë.

Gjatë një lidhje  direkte për programin “Për ditë të mbarë” të ekipi të RTV21 gazetari Burim Zariqi dhe kamermani Arian Havolli , Arsenijoviq kishte tensionuar situatën ngase protestuesit serbë nuk dëshironin të xhirohen me kamerë.

Reagimi i ekipit të #RTV21 ndaj politikanit serb ishte se “Ne po bëjmë vetëm punën tonë”.


08: 59-Franca e dënon dhunën në veri, i kërkon Qeverisë së Kosovës të ndërmarrë menjëherë masa

Për situatën në veri ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Francës, duke thënë se

Franca e dënon dhunën në veri dhe u bën thirrje palëve, sidomos Qeverisë së Kosovës, të ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për uljen e tensioneve.

“Franca dënon dhunën që ka ndodhur në veri të Kosovës në termat më të ashpër të mundshëm dhe u bën thirrje palëve, veçanërisht Qeverisë së Kosovës, që menjëherë të ndërmarrin masat e nevojshme për uljen e tensioneve”, ka shkruar në Twitter Ministria e Punëve të Jashtme e Francës.

Sot po bëhen tri ditë që serbët në komunat veriore të Kosovës po protestojnë për të kundërshtuar hyrjen në objektet e komunave të kryetarëve të rinj. Protestat kanë rezultuar të dhunshme ku dje u lënduan edhe pjesëtarë të KFOR-it


08: 50- KFOR vendos barriera të reja para objekti të Komunës së Zveçanit

Forcat e KFOR-it po vazhdojnë ta ruajnë objektin e Komunës së Zveçanit. Siç raporton RTV21 nga vendi i ngjarjes, KFORI ka vendosur barriera të reja para objektit.


08:46-Veriu, Kurti bisedon me Peach: Në një demokraci nuk ka vend për dhunë fashiste

Për situatën në veri, kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti ka biseduar me të dërguarin e posaçëm të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Kurti ka shkruar në Twitter se në një demokraci nuk ka vend për dhunë fashiste.

“Fola me SE Lordin Stuart Peach për sulmet e egra ndaj Policisë, KFOR-it dhe gazetarëve. Në një demokraci nuk ka vend për dhunë fashiste… Qytetarët e të gjitha etnive kanë të drejtë në shërbim të plotë dhe të papenguar të zyrtarëve të tyre të zgjedhur”, ka thënë Kurti.

Që nga e premtja, serbët në veri të Kosovës janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.

Si pasojë e protestave të dhunshme një ditë më parë, u plagosën 30ushtarë të KFOR-it.


08:38- KFOR: Kosova dhe Serbia të marrin përgjegjësinë e plotë për zhvillimet në veri

Misioni paqeruajtës i KFOR-it i përmes një komunikatë drejtuar mediave ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë të marrin përgjegjësi për situatën e krijuar në veri, duke bërë thirrje që të parandalohet  shtensionimi i i i situatës.

“Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, po ndjek personalisht zhvillimin e situatës dhe shpreh solidaritetin e tij me ushtarët e NATO-s që u plagosën gjatë përleshjeve dhe familjet e tyre: “Për të shmangur përleshjet ndërmjet palëve dhe për të minimizuar rrezikun e pas përshkallëzimit, paqeruajtësit e KFOR-it parandaluan kërcënimet ndaj jetës së serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Të dyja palët duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për atë që ndodhi dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm, në vend që të fshihen pas narrativave të rreme.”, thuhet në komunikatë

KFOR-i bëri të ditur se  30 ushtarë janë plagosur të hënën në komunën e Zveçanit gjatë dhunës së protestuesve serbë. 11 ushtarë italian dhe 19 nga kontingjentin hungarez kanë pësuar lëndime të shumëfishta, përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse e shpërthyese. Sipas KFOR të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë,

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës për të zvogëluar rrezikun e përshkallëzimit, pasi kryetarët e sapozgjedhur të komunave u përpoqën të marrin detyrën. Trupat e KFOR-it u sulmuan më pas nga turma gjithnjë e më agresive. KFOR-i gjithmonë vepron me vendosmëri dhe përmbajtje, brenda Rregullave strikte të Angazhimit (ROE). Në këtë rast, ajo iu përgjigj sulmeve të paprovokuara të një turme të dhunshme dhe të rrezikshme, duke kryer mandatin e saj në OKB në mënyrë të paanshme”, thuhet në komunikatën dërguar mediave.

KFOR-i bëri të ditur se komandanti i misionit, gjeneralmajor, Angelo Michele Ristuccia, po i përcjell personalisht zhvillimet.

“KFOR-i do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, thuhet  në komunikatë.


08:30-KFOR vazhdon ta ruajë objektin e Komunës së Zveçanit

Protesutesit kanë filluar të mblidhen para objektit të Komuës së Zveçanit.

Siç raporton RTV21 nga vendi i ngjarjes, KFOR-i vazhdon ta ruajë objektin e kësaj komune.


08:20- Policia: Aktualisht situata në veri e qetë

Aktualisht situata në  komunat veriore të Kosovës,  Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok është e qëtë bëjnë të ditur nga policia e Kosovës.

Nuk kemi ndonjë incident që e kemi regjistruar. Policia është duke i kryer detyrat e veta sipas angazhimeve që i ka”,ka thënë për rel zëdhënësi i policisë për Rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani.


07:50- Fillojnë të mblidhen protestuesit në veri

Pas tensioneve të djeshme të krijuara nga grupe serbësh dhe përleshjes së tyre me ushtarët e KFOR-it, sidomos në Zveçan, nata në veri të vendit ka kaluar e qetë.

Pranë ndërtesave të Komunave në Zvecan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ka prani të pjesëtarëve të KFOR-it, por edhe të Policisë së Kosovës, të cilët po kujdesen për ruajtje të rendit.

Serbët kanë paralajmëruar protesta të përditshme duke kundërshtuar kështu prezencën e kryetarëve të rinj në ndërtesat komunale, si dhe tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga veri.
Edhe pse protestat në tre komunat veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok janë paralajmëruar për sot nga ora 7:00 e mëngjesit, deri në kohën kur po raportojmë vërehet dalje simbolike e qytetarëve.

Në anën tjetër, në veri të Mitrovicës pranë ndërtesës së Komunës nuk ka pjesëtarë të KFOR-it dhe as prani të shtuar të policëve, përveç një automjeti të këtyre të fundit që ndodhet disa metra larg objektit komunal.

Back to top button