Lloji i virusit britanik mori viktimën e parë në Maqedoninë e Veriut

 

Lloji britanik i koronavirusit mori viktimën e parë në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për një burrë 46-vjeçar nga Ohri, i cili edhe paraprakisht ka vuajtur nga sëmundje kronike, e i cili betejën e humbi qysh më 8 janar. As ai, e as dy të tjerët të infektuar me mutacionin e konfirmuar të Covid-19 nuk kanë udhëtuar jashtë vendit.

Në mostrat e tij, si dhe në mostrat e një pacienti tjetër i cili tashmë është lëshuar në mjekim shtëpiak, laboratori i gjenetikës në Klinikën “Zhan Mitrev” informon se kanë detektuar virus të tillë.

“Edhe pas marrjes së strishos vetëm në raste të caktuara bëhet sekuencimi i gjenomit të virusit. Eshtë e mundur që ta kemi pasur edhe muajin e kaluar, por atëherë pasqyra epidemiologjike ishte e tillë që numri i rasteve ishte në rënie. Ajo që është e mundur është që mutacioni i këtij virusi të ishte i pranishëm në  disa javë të fundit, kur pas rënies kishte nivelim të kurbës, por në çdo rast ajo që është shumë e rëndësishme është se nuk ka përkeqësim në drejtim të rritjes së numrit të rasteve. Ende nuk është përjashtuar kjo mundësi, është e mundur të ndodhë, prandaj ne jemi të kujdesshëm me rekomandimet, kurse të gjitha masat tani për tani mbesin të njëjta”, tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Autoritetet shëndetësore qetësojnë se nuk ka vend për panik, por është një shenjë paralajmëruese që qytetarët të vazhdojnë t’u përmbahen masave parandaluese.

Mutacioni i virusit për herë të parë është zbuluar në Britaninë e Madhe në fund të vitit të kaluar, kurse sipas të dhënave më të fundit të OBSH-së tashmë është përhapur në 70 vende të tjera. Edhe pse në Maqedoninë e Veriut ende nuk kanë mbërritur vaksina, ministri Filipçe pohoi  se imunizimi i popullsisë do të fillojë në shkurt, shkruan TV21./21Media

Back to top button