Lokalizohet zjarri në Emshir, 13 personave iu është ofruar trajtim mjekësor

(Lajm i përditësuar)
Lokalizohet zjarri në Emshir, 13 personave iu është ofruar trajtim mjekësor
Zëdhënësja e policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për portalin rtv21.tv dha detaje shtesë lidhur me zjarrin në Emshir. Ajo tha se aktualisht situata është vënë nën kontrollë, zjarri është lokalizuar nga ana e zjarrfikësve.
“Bazuar në të dhënat aktuale numri i personave që u është ofruar tretman mjekësor arrinë në trembëdhjetë (13). Për detajet rreth rastit do të njoftoheni pas përfundimit të ekzaminimeve të nevojshme hetimore e procedurale nga institucionet kompetente.”, tha Ahmeti.
Zjarr në një ndërtesë në Emshir, disa persona kërkojnë ndihmë mjekësore
Një incident zjarri ka ndodhur sot rreth orës 18: 40 në lagjen Emshir në Prishtinë.
Zëdhënësja e policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për portalin rtv21.tv tha se disa persona janë duke u trajtua nga ekipet mjekësore.
“Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë policia dhe zjarrfikësit të cilët po merren me rastin.
Derisa po vazhdon evakuimi banorëve të ndërtesës, bazuar në të dhënat e deritanishme disa persona janë duke u trajtuar nga ekipet mjekësore, kryesisht probleme që janë shkaktuar nga tymi.”, tha Ahmeti./21Media