Luan Rama: Struktura të Rilindjes dhe Policisë po përpiqen të shantazhojnë qytetarët

Rama ka deklaruar se, struktura të Rilindjes dhe Policisë së Shtetit po përpiqen të korruptojnë qytetarët e thjeshtë

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, pasditen e sotme ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, se po shpif dhe dezinformon opinionin publik me akuza ndaj zyrtarëve të LSI-së.

Në deklaratën e tij, Luan Rama i është referuar një denoncimi, që sipas tij është i rrem, të kryeministrit që akuzonte prefektin e LSI-së së Sarandës, Ilir Hysi, se me mjetin e tij po qarkullonte në zonë për të blerë vota.

Nënkryetari i LSI-së ka nënvizuar se nuk bëhet fjalë për zyrtarin e saj, i cili sipas tij përdor një automjet tjetër, por për një shtetas tjetër me të njëjtin emër.

Luan Rama ka deklaruar se, struktura të Rilindjes dhe Policisë së Shtetit janë ato që po përpiqen të shantazhojnë dhe korruptojnë qytetarët e thjeshtë, me qëllim blerjen e votës së tyre. Për këtë, ai i ka bërë një apel edhe kryeministrit Rama.

“Zoti kryeministër, mos u shfaq si person i papërgjegjshëm, por kur publikon lajme të tilla shfrytëzo atributet e tua për të marrë informacionet dhe mos u bjerë në qafë njerëzve të pafajshëm dhe atyre të LSI-së, që nuk mund t’i inkriminosh me veprimet e tua. Dëshpërimin dhe panikun për humbjen mos e shfaq duke sulmuar padrejtësisht qytetarët”, ka thënë Rama.

Gjatë kësaj konference, Rama ka prezantuar edhe foto si dëshmi të asaj që thotë.

Back to top button