“Luaneshat e Kodrës” u shpërblyen në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Aktoret e filmit “Luaneshat e Kodrës” me regji të Luana Bajramit janë shpërblyer në Festivalin e Filmit në Sarajevë.
Në kategorinë aktorja më e mirë, juria iu ka ndarë çmimin “Zemra e Sarajevës” tri aktoreve të filmit “Luaneshat e Kodrës”, Flaka Latifit, Era Balajt dhe Uratë Shabanit.
Filmi flet për tri shoqe të pandashme, që janë në pritje të rezultateve për Universitet. Ato, të ulura në një kodër, ëndërrojnë të shkojnë në një qytet më të madh për t’u pavarësuar e për t’i lënë prapa thashethemet dhe pengesat e tjera në fshatin e tyre.
Në rolet kryesore luajnë: Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora, dhe Luana Bajrami.
Filmi “Luaneshat e Kodrës” është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.
“Luaneshat e Kodrës” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë) dhe Acajou Productions (Francë).

Back to top button