Lukashenko: Zgjedhje ka vetëm po të më vrisni

 

Presidenti bjellorus, Aleksander Lukashenko deklaroi se zgjedhje të reja në Bjellorusi do të ketë vetëm po ta vrasin atë. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë një vizite në një fabrikë të Minskut, nga ku punëtorët i vërshëllyen dhe i kërkuan të largohej.

Një zhvillim i tillë u pa si një tjetër shenjë se baza tradicionale e shtetarit të fortë bjellorus ka nisur të lëkundet, sidomos pas pretendimeve të tij për fitore në zgjedhjet e shumëdiskutuara të fillimit të muajit.

“Ju flisni për proces të pandershëm dhe kërkoni zgjedhje të reja. Përgjigja ime është se derisa të më vrisni, nuk do të ketë zgjedhje të reja”, deklaroi ai.

Situata në vend përbën një shqetësim të shtuar për komunitetin ndërkombëtar. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka ftuar kryetarët e shteteve dhe të qeverive për një samit ku do të diskutojnë të mërkurën se si mund të shtohet më shumë presioni ndaj Presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko.

“Qytetarët e Bjellorusisë kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre dhe të zgjedhin lirisht udhëheqjen e tyre,” shkroi Michel në Twitter.

“Dhuna kundër protestuesve është e papranueshme dhe nuk duhet të lejohet”, shtoi ai. Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe Presidenti francez Emmanuel Macron kritikuan ashpër udhëheqjen në Bjellorusi. Steinmeier tha në Berlin, se e admiron guximin e njerëzve që dalin në rrugë për të demonstruar në mënyrë paqësore. BE-ja nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit prej të cilave

Aleksander Lukashenko pretendon se ka fituar 80 përqind të votave, transmeton rtv21.tv.

Opozita e akuzon atë për falsifikim të votimeve. Kandidatja e opozitës, Svetlana Tihanovskaja u detyrua të kërkonte strehim në Lituani, prej nga po drejton veprimet e opozitës dhe është e gatshme ta udhëheqë vendin.

Qeveria gjermane e ka mohuar se kancelarja, Angela Merkel, ka biseduar me presidentin e Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko. Deklarata hedh poshtë pretendimet e Lukashenkos, i cili ka thënë se ka biseduar me Merkelin.

Ai tha se kishte pranuar një telefonatë më 16 gusht nga Merkel, e cila sipas tij, dëshironte të fliste derisa po mbaheshin protestat dhe grevat kundër tij në mbarë vendin. Shpërthimi i protestave paraqet sfidën më të madhe të udhëheqjes 26-vjeçare të Lukashenkos, raporton agjencia e lajmeve Interfax.

“Një bisedë e tillë midis Merkel dhe Lukashenkos nuk ka ndodhur që nga zgjedhjet”, tha një zëdhënës i qeverisë gjermane. Lukashenko përballet me kërcënimin e sanksioneve të Bashkimit Evropian, pasi forcat e sigurisë po godasin protestuesit, të cilët thonë se zgjedhjet presidenciale që u mbajtën më 9 gusht, ishin të manipuluara.

Lukashenko mohon humbjen, duke përmendur rezultatet zyrtare që e shpallën atë fitues me më shumë se 80 për qind të votave./21Media

Back to top button