Luksemburgu do të përkrahë Kosovën me 30 milionë euro
Luksemburgu do ta mbështes Kosovën në disa sektorë
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha u takua me Udhëheqësen e Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, Anne Dostert. Në takim u diskutua për bashkëpunimin në kuadër të procesit të integrimit evropian të Kosovës, me theks të veçantë në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, liberalizimin e vizave dhe qasjen e Kosovës në Programet e BE-së.
Ministrja Hoxha dhe Dostert diskutuan po ashtu edhe për zbatimin e asistencës së Luksemburgut në Kosovë
“Luksemburgu është duke përkrahur institucionet e Kosovës në arsim, shëndetësi dhe sektorin e ujërave. Janë duke u zbatuar projekte në këta sektorë në vlerë prej 22.5 milionë eurove, ndërsa gjatë periudhës 2017-2020 do të fillojnë edhe projekte të tjera në vlerë 30 milionë euro”, thuhet në njoftimin e dërguar nga ministria e Integrimit.
Ministrja Hoxha, theks të veçantë vuri mbi përkrahjen e procesit të integrimit evropian për të cilën është paraparë realizimi i projektit që nëpërmjet asistencës teknike të punohet në ngritjen e kapaciteteve për zbatimin e MSA-së, respektivisht nëntë kapitujve të identifikuara tani si primare.
Kurse nga ana e saj, Dostert nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm të Luksemburgut për procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe ofroi mbështetjen e vazhdueshme në kuadër të reformave konkrete në arsim, shëndetësi dhe sektorin e ujërave./21Media