Lumezi vlerëson bashkëpunimin ndërinstitucional në zgjedhje

Lumezi ka falënderuar prokurorët për zbatimin me sukses të planit të sistemit prokurorial në zgjedhje

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi me rastin e përfundimit të procesit zgjedhor të 11 qershorit falënderoi prokurorët e angazhuar dhe stafin mbështetës për zbatimin me sukses të planit të veprimit të sistemit prokurorial për punën e palodhshme për parandalimin dhe hetimin e veprave penale kundër të drejtave të votimit.

Prokurori gjithashtu falënderoi Policinë e Kosovës për koordinimin dhe bashkëpunimin e ngushtë për realizimin e planit të veprimit dhe memorandumit të bashkëpunimit për parandalimin e shkeljeve ligjore, duke përfshirë hetimin dhe ndjekjen e të gjitha veprave penale kundër të drejtave të votimit.

Lumezi po ashtu falenderoi  të gjitha institucionet, shoqërinë civile, mediat, OJQ-të dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë bashkëpunuar dhe kanë ndihmuar Prokurorin e Shtetit në realizimin e qëllimit të tij për “Mbrojtjen e votës”.

Po ashtu Lumezi ka njoftuar se  duke u bazuar në kompetencat ligjore ka vepruar në të gjitha rastet e paraqitura si të dyshuara për pengimin e të drejtave të votimit dhe ato raste i ka trajtuar me prioritet.

“Me qëllim të marrjes së masave ligjore për të gjithë ata që në ditën e zgjedhjeve kanë vepruar kundër të drejtës së votimit, Prokurori i Shtetit duke u bazuar në procedurat ligjore menjëherë ka vepruar dhe si rezultat ka ngritur aktakuza ku dhe ka pasur një vendim gjyqësor”, thuhet në njoftimin e dërguar./21Media

 

Back to top button