Lushaku-Sadriu: Kurti, po e shkatërron miqësinë me SHBA

Deputetja e LDK-së Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar ndaj komenteve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti lidhur me Shtetet e Bashkuara.
Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se Kurti po hyn në histori si “njeriu që po e shkatërron miqësinë më të shenjtë të popullit tonë”.
“Kurti, po hyn në histori si njeriu që po e shkatërron miqësinë më të shenjtë të popullit tonë. Kjo nuk është as trimëri, as vizion, por është aventurizëm politik dhe pavetëdije e plotë për pasojat. Këto “jo”-të e Kurtit, janë po-ja më e madhe për izolimin e Kosovës! Historia e Kosovës është e shkruar me gjakun e dëshmorëve tanë, mprehtësinë e udhëheqësve tanë historik dhe me ndihmën vendimtare të Amerikës. Pa NATO-n e udhëhequr nga SHBA, nuk do të kishte liri. Pa SHBA, nuk do të kishte pavarësi. Pa SHBA, nuk do të kishte njohje ndërkombëtare. Sot, ai partner që na qëndroi pranë në ditët më të vështira po dëgjon nga ‘Kryeministri’ i Kosovës për veprime të papërgjegjshme dhe fjalë fyese. Dhe pasojat janë të qarta: ndëshkime nga aleatët, izolim ndërkombëtar, dobësim i pozitës së Kosovës në rajon. Kjo është fatura që po e paguajnë qytetarët tanë vetëm pse ‘Kryeministri’ i tyre nuk kupton se Kosova pa Amerikën nuk ka të ardhme. Kosova nuk është pronë e një personi. Kosova është amanet i gjeneratave që dhanë jetën për liri dhe i miqësisë me Amerikën që na e garantoi atë liri. Kush e rrezikon këtë miqësi, rrezikon ekzistencën e vetë shtetit”, ka shkruar Lushaku-Kadriu.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?