Lushaku-Sadriu: VV-ja është e ndarë në 100 pjesë
(Lajm i përditësuar)
Shefja e GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se LDK-ja duhet të ketë konsistencë brenda saj dhe pastaj të flas me publikun.
Lidhur me këtë iu kundërpërgjigj kryetarja e Forumit të Gruas në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu në emisionin “Click” në RTV21.
“Paska bërë një deklaratë shefja e GP më të madhit në Parlamentin e Kosovës tani për tani, e cila e ka të ndarë në 100 pjesë Grupin Parlamentar, e cila nuk arrinë t’i mbledhë një shumicë për t’i votuar ligjet më esenciale në Parlament të Kosovës. Shumë seanca ndalojnë së funksionuari për shkak të mungesës të kuorumit dhe ajo është përgjegjëse. Ajo së pari le të flet për konsistencën e partisë së saj e cila është më e madhja në vend, më e madhja historikisht me 51%. D.m.th papërgjegjësi e tyre vije deri në atë masë që e rrezikon funksionalitetin e Parlamentit. Qikaq kam për to!”, tha ajo.
Lushaku-Sadriu: Ne jemi vazhdimësia e rugovizmit në Kosovë
Kryetarja e Forumit të Gruas në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu tha se LDK-ja në asnjë moment nuk po i largohet “filozofisë Rugoviane”.
“Baza vlerore e një partie politike është ajo baza e cila e përcakton orientimet ideologjike të një partie politike, ajo nuk ndryshon, çka ndryshon është pëditësimi i platformave politike”, tha ajo.
Lushaku -Sadriu tutje e përmendi partinë CDU-në si shembull për reformimet.
“Ne jemi vazhdimësia e Rugovizmit në Kosovë. LDK-ja është themeluar nga ati i saj që e njohim si presidenti historik Ibrahim Rugova, dhe LDK-ja është trashëgimia e tij dhe Rugovizmi i vërtetë”, tha kryetarja e Forumit të Gruas në LDK për emisionin “Click” në RTV21.
LDK e zhgënjyer me presidenten Osmani
Kryetarja e Forumit të Gruas në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu të martën në emisionin “Click” në RTV21 tha se partia e saj është e pakënaqur me presidenten, Vjosa Osmani dhe se ajo po ka qëndrime të njëjta me ato të VV-së.
“Ne si LDK jemi të pakënaqur në raport me funksionin e saj, me ushtrimin e funksionit të saj, i kemi bërë thirrje disa herë publike që ajo të marrë qëndrim dhe t’i dalë zot Kosovës duke i ruajtur aleancat tona dhe duke e dalluar në qëndrime nga Vetëvendosje. Nuk e kemi parë këtë, jemi të zhgënjyer në kuptimin e postit të presidentit sepse nuk e kemi parë të jetë aktive”, tha Lushaku-Sadriu./21Media