Lushtaku thotë se do të jetë në krye të qeverisjes së Skënderajt

Kryetari i degës së PDK-së në Skënderaj, Sami Lushtaku, ka reaguar pasi i është pamundësuar të garojë në zgjedhjet e 17 tetorit për kryetar të Komunës.
Ai përmes një video-mesazhi ka thënë se për këtë vendim është bërë presion nga presidentja dhe kryeministri, ndërsa bindës u shpreh se do të jetë fitues, pavarësisht se pas vendimit të Gjykatës Supreme që ia vërtetoi dënimin, atij nuk i lejohet të kandidojë.
“Duke parë përkrahjen e madhe të cilën e ka PDK në Skënderaj dhe unë si kryetar dege e kandidat për kryetar të komunës, për të ma pamundësuar kandidimin tim është bërë presion i madh mbi institucionet e pavarura e ato të drejtësisë. Ky presion është bërë nga dy krerët shtetërorë, presidentja e kryeministri”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo është një tendencë për ta rrëzuar PDK-në në Skënderaj.
“Skënderaj dhe PDK janë rritur e zhvilluar së bashku, andaj edhe në këto zgjedhje, PDK do të dalë fituese bindëse dhe unë do të jem në krye të qeverisjes, pranë qytetarëve të Skenderajt”, ka theksuar Lushtaku.

Lushtaku ishte shpallur fajtor për arratisjen e 21 gushtit dhe 22 shtatorit të vitit 2015 nga Burgu i Dubravës, gjatë kohës kur po mbante dënimin prej 12 viteve për krime lufte në rastin “Drenica”.
Ai me vendimin e Gjykatës së Prishtinës në prillin e vitit 2020 ishte dënuar me 12 mijë euro gjobë.
Sami Lushtaku është dënuar dy herë brenda tre viteve të fundit për dy vepra penale.
Dënimi i parë i marrë ndaj tij është bërë në prillin e vitit të kaluar ku u dënua me 12 mijë euro gjobë për arratisjen nga “Burgu i Dubravës”, ndërsa i fundit në tetor të vitit të kaluar për kanosjen ndaj avokatit Gazmend Halilaj.
Të dy këto vendime janë bërë të plotfuqishme pasi janë vërtetuar nga instancat më të larta.
Për të parin ka vendosur edhe Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës e cila dënimin prej 12 mijë euro e konsideroi si të drejtë, përderisa dënimi i dytë prej 2 mijë euro gjobë për kanosjen e avokatit u vërtetua nga Gjykata e Apelit./21Media

Back to top button