LVV i kërkon KQZ-së shtyrjen e afatit të aplikimit për certifikim për zgjedhjet në veri

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Komisionin Qendror të Zgjedhjeve shtyrjen e afatit të aplikimit për certifikim të subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet në veri të vendit.
LVV po kërkon që ky afat të shtyhet deri më 26 nëntor.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka caktuar datën 18 dhjetor, si dita kur duhet të mbahen zgjedhjet në veri. Ndërkohë, sot përfundon afati për certifikimit të subjekteve politike për zgjedhjet në veri të vendit.
I mbetet KQZ-së që sot të mbajë mbledhjen e jashtëzakonshme dhe ta shqyrtojë këtë kërkesë.
Përndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte njoftuar të gjitha partitë politike, kandidatët e pavarur, koalicionet dhe iniciativat qytetare, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, se afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhje ka filluar më 15 nëntor dhe do të përfundojë më 21 nëntor 2022.

Back to top button