Pavarësisht vendimit të PZAP-së, Lëvizja Vetëvendosje thotë se lideri i këtij subjekti politik, Albin Kurti do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë

“Kandidimi i Albin Kurtit dhe i kandidatëve të tjerë nuk do të mund të ndalet, sepse kështu e thotë e drejta, dhe lista e VETËVENDOSJE!-s do të paraqitet e plotë e fitimtare në zgjedhjet e 14 shkurtit sepse kështu po e kërkon populli.”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Po ashtu ky subjekt politik e konsideron vendim absurd atë të PAZAP-së si dhe drejtoi prapë akuza ndaj kryetares së KQZ-së Valdete Daka.

” Sot Paneli për Ankesa dhe Parashtresa nxori një vendim absurd, duke ia ndaluar kandidimin, kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bartësit të listës, Albin Kurti, si dhe kandidatëve tanë, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Labinotë Demi-Murtezi dhe Bajram Mavriqi.PZAP veproi në një vijë me tre anëtarët e KQZ-së, Valdete Dakën, dhe përfaqësuesit e LDK-së e PDK-së, duke sajuar argumente të paqena juridike dhe kushtetuese vetëm sa për të prodhuar këtë pengesë që është në fakt një padrejtësi e shumëfishtë.”, thuhet në reagim.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti sipas vendimit të Panelit Zgjedhor i Ankesave dhe Parashtresave ka mbetur jashtë listës zgjedhore. Jashtë kësaj liste së kandidatëve për deputetë ka mbetur edhe Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi Murtezi./21Media