Kaloni te përmbajtja kryesore

Macron: Në dy vjetët e ardhshme, Shqipëria do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian

Në ditën e dytë të vizitës së tij, Presidenti Francez Emmanuel Macron zhvilloi këtë të shtunë një takim me Kryeministrin Edi Rama, i shoqëruar nga delegacionet përkatëse.

Të dy liderët mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp. Presidenti Macron theksoi mbështetjen e Francës në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE.

“Kemi dëshirë të shkojmë dhe më larg, është vendi i Shqipërisë në BE që është i rëndësishëm. Dua të rishpreh bindjen e plotë që kam, për bashkimin e kontinentit europian për t’i bërë ballë sfidave të përbashkëta. Shqipëria ka treguar shumë, ka bërë avancime shumë të mëdha. Udha e Shqipërisë është e qartë drejt BE. Franca do jetë krah jush për t’iu shoqëruar në këto reforma, në mënyrë që meritat tuaja të njihen nga të gjithë dhe që axhenda të mbahet. Ju do mbani axhendat tuaja dhe ne do mbajmë tonën. 2027 nuk është një perspektivë, por një realitet”, tha Macron.

Për kreun e qeverisë shqiptare, vendi ynë ka fituar një mbështetës besnik.

“Ne jemi thellësisht mirënjohës padiskutim që sot ne e ndjejmë Francën shumë afër edhe në procesin e anëtarësimit dhe, nga ana tjetër, rajoni ka fituar një mbështetës të qëndrueshëm dhe besnik në të gjitha proceset transformuese, në adresimin e momenteve të vështira dhe në mbështetjen për përfshirjen e rajonit në Evropën e Bashkuar”, u shpreh Rama.

Macron nuk la pa komentuar zhvillimet mes Rusisë dhe Ukrainës, sipas të cilit Rusia po injoron kërkesat amerikane.

“Sot s’kemi asgjë. Përballë cinizmit të Putin, mendoj se Trump, i merakosur për besueshmërinë e Amerikës, do të reagojë, sepse propozimi për armëpushim dhe për t’u takuar janë amerikane. S’mund të kenë një përgjigje të tillë. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë”, deklaroi Presidenti Francez.

Përpara deklaratës për shtyp, të dy delegacionet shkëmbyen marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e energjisë, si dhe u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për krijimin e një projekti gjithëpërfshirës për turizmin e qëndrueshëm në rajonin e Korçës. /vizionplus.tv

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button