Maduro sulmon Trumpin

“Me fjalim nazist, sillet si pronar i Venezuelës”

Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro ka sulmuar presidentin amerikan, Donald Trump duke thënë se fjalimi i këtij të fundit ishte “stil nazist” dhe se presidenti amerikan sillej si të ishte pronar i Venezuelës.

Gjatë të hënës presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar pjestarët e ushtrisë së Venezuelës që janë ende besnikë të Maduros se ata po rrezikojnë të ardhmen e tyre, dhe ka kërkuar nga ata që të lejojnë ndihmat humanitare të huaja të hyjnë në vend.

Duke folur në Miami, presidenti Trump tha për ushtarakët që përkrahin Maduron se “nuk do të gjeni strehim, dalje të lehtë e as shpëtim. Do të humbni gjithçka”, njëkohësisht duke ofruar mbështetje për liderin e opozitës, Juan Guaido.

Megjithatë Maduro që fitoi mandatin e dytë vjet në zgjedhjet që u quajtën mashtrim nga kritikët, ka mbështetjen e Rusisë dhe Kinës për kontrollin e Venezuelës, shkruan rtv21.tv

“Ata besojnë me arrogancën e tyre dhe përbuzjen drejt nesh, besojnë se janë pronarët e shtetit, dhe Donald Trump beson në fuqinë për t’i dhënë urdhëra forcave kombëtare të Venezuelës dhe ata do t’i përfillin. Sot Donald Trump ishte në Miami me një retorikë të lodhur, duke vënë në pikëpyetje të drejtën e vendit tonë të lirë për të adoptuar idetë njerëzore, të socializmit të krishterë, socializmit tonë, në një fjalim të stilit nazist për të ndaluar ideologjitë tona”, ka thënë presidenti i Venezuelës, Nicloas Maduro.

Maduro ka bërë të ditur se të mërkurën 300 tonë ndihma humanitare do të arrijnë nga Rusia në mënyrë legale./21Media

Back to top button