Majlinda Kelmendi e Driton Kuka vizitojnë ish-krerët e UÇK-së

Xhudistja kosovare me famë ndërkombëtare, Majlinda Kelmendi dhe trajneri i xhudos, Driton Kuka nesër do të vizitojnë ish-krerët e UÇK-së në Hagë. Kështu bëri të ditur trajneri Kuka, i cili u shpreh se luftërat e popullit tonë kanë qenë të pabarabarta e të vështira.
Ai tregoi se bashkë me Majlindën do të kenë edhe takime me zyrtarë të Holandës për promovimin e suksesit të Kosovës në xhudo si dhe dakordimin e programit drejt Lojërave Olimpike në Paris me federatat mike të Holandës dhe Gjermanisë.
“Ne po ashtu do të shfrytëzojmë këtë mundësi që nesër të takojmë edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaci, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, ish-deputetin, Rexhep Selimin dhe Nasim Haradinajn. Historikisht, luftërat e popullit tonë kanë qenë të pabarabarta, gjithmonë kanë qenë të vështira. Edhe atëherë kur të gjithë kanë menduar se do të zhdukemi, ne jemi zgjuar. Edhe atëherë kur të gjithë kanë menduar se ne do të dorëzohemi, ne jemi ringritur. Luftërat dhe qendresa e popullit tonë, gjithmonë kanë qenë frymëzim i imi dhe Majlindes në çdo betejë. mRrugëtimi im dhe i Majlindës ka qenë i vështirë, përplot sfida, pengesa, dëshprime.”, shkroi Kuka.
Ai tutje u shpreh se bashkë me mbështetjen e shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës kanë arritur që vendit t’i sjellin fitore historike.
“Ashtu është edhe beteja e radhës së krerëve të UCK-së, të cilët do të dalin fitues nga një betejë e pabarabartë, që burimin e ka në raportin skandaloz dhe të padrejtë të senatorit Dick Marty.”, shkroi tutje Kuka.
Ndryshe, ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty. Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre./21Media

Back to top button