Maksuti: S’ka shenja, s’flasim për shpresa! Shpresojmë që nesër me përmirësimin e motit ta gjejmë veturën

(Lajm i përditësuar)


Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti thotë se në perimetër prej 3.5 dri në 5 kiometra po realizohet kërkimi i 3 shtetasve të Kosovës të cilët me veturë ranë në ujërat e lumit Lepenc në Maqedoni, pëcjell TV21.

Maksuti thotë se në terren janë autoritetet e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, por që shpresojnë që nesër me përmirësimin e motit ta gjejnë veturën.

“Nuk ka shenja akoma. Nuk flasim për shpresa dhe nuk mund të flasim për afate kohore. E dini shumë mirë para disa muajsh në një fatkeqësi të ngjashme në komunën e Tetovës, ku një djalosh i ri nga Kumanova ra, pas ditës së 7 neve arritëm që ta gjejmë trupin. Pra neve nuk do të përfundojmë deri në mbylljen me sukses të këtij operacioni”.


“Ka piskatur nga atje poshtë”, flet dëshmitari në aksidentin ku vetura ra në lumin Lepenc

Një taksist nga Kosova sot në rrugën Shkup-Bllacë, respektivisht para tunelit ka treguar se çfarë ka parë gjatë ditës së djeshme në aksidentin mes dy veturave, ku vetura me targa të Kosovës ra në lumin Lepenc, ku si rrjedhojë 3 persona rezultojnë të zhdukur, ndërkaq një i mitur është shpëtuar, përcjell TV21.

Taksisti thotë se në fillim kanë parë vetëm veturën e aksidentuar “VW Touran” nga Shkupi, ndërsa më pas kanë vërejtur se një veturë ka rënë në lumë.

“Duke ardhur nga Shkupi, minutat kanë qenë në pyetje që kur ka ndodhur aksidenti, të gjitha copat e plastikës i kemi parë në asfalt, copa të parakolpit, duke mos e menduar se është vetura atje poshtë. Kur e pamë një “Tauran” me tabela të Shkupit, ngjyrë hiri e mbyllur, ne menduam se vetëm ai është rrokur, por e shihnim dhe kërkonim edhe makinën tjetër. Kur ka piskatur nga atje poshtë, atje ku ka rënë vetura me njerëzit brenda, nuk shihej vetura, kjo shenjë shumë e keqe për mendimin tim, por ai që piskaste, për besë, po më vjen keq ta flas këtë fjalë, por nuk e kam pasur guximin që të afrohem as aty afër të shoh se e kam ditur se është e pamundur, se veç Allahu mund të iu ndihmojë dhe kushdo qoftë, jemi njerëz, ishalla çka vjen prej Zotit duhet të pajtohemi, veç duhet pasur shumë kujdes. Edhe timoni është një lloj arme për mendimin tim. S’kam koment më shumë. Ngushëllime familjes dhe duhet pasur kujdes sa më shumë, se po shoh çka mos”, tha taksisti nga Kosova.


Arrestohet shkupjani që ishte përfshirë në aksidentin ku vetura me targa të Kosovës ra në lumin Lepenc 

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se është arrestuar personi B.B. nga Shkupi, i cili u përfshi në aksidentin e djeshëm në lumin Lepenc, ku si pasojë ende rezultojnë të zhdukur 3 shtetas të Kosovës, të cilët me veturë ranë në lumë, përcjell TV21. Nga MPB shtojnë se personi i 4 që është shapërtuar është i moshës 16 vjeçe.

“Prokurori publik dhe ekipi i SPB-Shkup kanë realizuar kontroll në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit publik ngasësi i mjetit “Volkswagen Touran” B.B. është privuar nga liria dhe është ndaluar për veprime të mëtejshme”, thonë nga MPB./tv21.tv


Sveçla për aksidentin në lumin Lepenc: Kemi ngritur të gjitha kapacitetet

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se pasi mori lajmin mbrëmë për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor Shkup – Bllacë, me ç’rast një familje nga Kosova ka rënë në lumin Lepenc, është nisur tek vendi ngjarjes.

Sveçla thotë se pas koordinimit me autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, mbrëmë kanë arritur njësitet e para profesionale të Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës të cilët kanë filluar planifikimin dhe kërkimin në rrjedhën e rrëmbyeshme të Lepencit.

Sipas tij, aktualisht ndodhen 30 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vullnetarë profesionistë të kërkim shpëtimit, të cilët në koordinim dhe bashkëveprim me ekipet profesionale të Maqedonisë së Veriut “janë duke e bërë maksimumin e tyre në lokalizimin dhe nxjerrjen e personave nga lumi”.

“Institucionet e Republikës së Kosovës në këto momente të vështira qëndrojnë pranë familjarëve të të prekurve nga ky aksident dhe përkundër të gjitha sfidave, kanë ngritur të gjitha kapacitetet që të kemi rezultate sa më të shpejta”, ka shkruar ministri Sveçla.


MPJD jep detaje për aksidentin e familjes nga Kosova që ra me veturë në Lepenc

Është duke vazhduar kërkimi për tre personat e zhdukur në lumin Lepenc afër fshatit Orman të Shkupit.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se në veturë ndodheshin katër pjesëtarë të një familjeje nga Kosova. Njëri prej tyre ka arritur që të dalë nga lumi Lepenc, përderisa të tjerët janë në kërkim.

Ambasada tutje përmes një komunikate ka thënë se në vendngjarje ka dalë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, bashkë me ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, të shoqëruar nga zëvendësministri i brendshëm i RMV Nazim Bushi.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes procedurave të përshpejtuara ka lehtësuar dhe koordinuar kalimin e njësiteve të specializuara të kërkim-shpëtimit nga Kosova për në territorin e RMV-së, pas kërkesës së autoriteteve maqedonase. Krahas ekipeve të specializuara të Maqedonisë së Veriut, që në orët e hershme të mëngjesit pjesë e operacionit të kërkim-shpëtimit janë njësiti relevant nga FSK dhe ai nga Policia e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Për shkak të rreshjeve të shumta të ditëve të kaluara, operacioni është duke u realizuar me disa vështirësi, por pa epilog deri më tani.

Dje, me datë 17 qershor 2023, në orët e pasditës, pas një aksidenti në komunikacion, një veturë me targa të Republikës së Kosovës ka humbur drejtimin dhe ka përfunduar në lumin Lepenc.


Pacolli thotë se tre shqiptarë nga Kosova vdiqën pasi ranë me veturë në lumin Lepenc

Edhe pse në terren po vazhdojnë kërkimet për 3 shtetasit e Kosovës të cilët pasditen e djeshme pas një aksidenti ranë në lumin Lepenc në afërsi të tunelit në rrugën Shkup-Bllacë, kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli tha se tre nga ta kanë vdekur.

“E përjetoi me dhimbje tragjedinë e familjes Pacolli, këtë mbrëmje në Maqedoni ku Naim, Merita dhe Ermal Pacolli, humben jetë. Zoti i mëshiroftë të ndjeret e Shkëlqimit i uroi shërim të shpejtë. Lutem për këtë familje!”, ka shkruar Pacolli në “Facebook”.

Gjatë së shtunës, portali rtv21.tv ka raportuar lidhur me rastin./21Media

Back to top button