“Mali i Sharrit meriton dhe ka nevojë për mbrojtje më të mirë”

Një video-dëshmi unike dhe emocionale e një udhëtimi katërditor nëpër malin Sharr të alpinistes së njohur botërore Uta Ibrahimi dhe ekipit të saj u prezantua dje në mbrëmje në Kino Armata, në premierën e filmit “Run for Sharr”.
Filmi është rezultat i bashkëpunimit të WWF Adria dhe Fondacionit Utalaya dhe jep një pasqyrë reale të gjendjes së Parkut Kombëtar Sharri, duke kapur bukurinë e kësaj zone të mbrojtur dhe pasojat e sjelljes së papërgjegjshme ndaj burimeve të saj natyrore.
Pamjet e florës dhe faunës së pasur, burimet e shumta ujore dhe pamjet mahnitëse nga majat e maleve e lanë audiencën të mahnitur, por në anën tjetër sekuencat e mbeturinave, ndërtimi i mini hidrocentraleve, ngasja e pamatur e automjeteve motorike, i lanë të gjithë me një ndjenjë zhgënjimi. Mesazhi kryesor nga premiera ishte domosdoshmëria e më shumë përpjekjeve që duhet investuar në ruajtjen e Sharrit.
“Ishte befasuese për mua kur mësova se rreth 50 mijë hektarë të malit Sharr mbrohet nga vetëm 18 punonjës. Fatkeqësisht, kjo është pasojë e mungesës së financimit të zonave të mbrojtura. Këtë çështje që e shohim në të gjitha vendet e Ballkanit, sepse mbrojtja e mjedisit ende perceptohet si diçka që ndalon zhvillimin, kur është e kundërta. ËËF punon në mbledhjen e aktorëve të ndryshëm dhe me ta gjejmë zgjidhje që mundësojnë zhvillim të qëndrueshëm pa dëmtuar natyrën. Menaxhimi i qëndrueshëm i zonave të mbrojtura është i nevojshëm pasi ofron mundësi për zhvillimin socio-ekonomik të komuniteteve lokale”, tha drejtoresha ekzekutive e WWF, Adria Natasha Kalauz.
Rrëfimi i fuqishëm në film nga Uta Ibrahimi, dha një mesazh emocionues se si vlera e maleve nuk ështëvetëm mjedisore, por ato kanë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit tonë fizik dhe mendor.
“Sharri është mali më i dashur për mua. Malet e SHARRIT më kanë tjetërsu, më kanë bërë njeri ma të mirë, njeri më të lumtur, më të ndjeshëm edhe më të fortë. Sharri më kanë ndihmu me arrit qëllime te mëdha ne jetë, sikurse me u ngjit në majat ma të larta të Botës. Më ka frymëzu me e dashtë edhe më shumë natyrën e me dhanë gjithcka prej vetes për ruajtjen e saj. Gjithashtu ju bëj thirrje për ruajtjen e maleve të Sharrit. Duhet që të gjithë së bashku të kujdesemi, ne te raportojme e institucionet tona të dënojnë krimin e vazhdueshëm, jo vec në Malet e Sharrit, po në krejt malet tona”, tha themeluesja e Fondacionit Utalaya, Uta Ibrahimi,.
Premiera u shoqërua edhe nga përfaqësues të qeverisë, ambasadave të ndryshme dhe organizatave tjera ndërkombëtare në Kosovë. Gjatë ngjarjes, të pranishmit patën mundësinë të skanojnë kodin e shfaqur në ekran dhe të zbulojnë se cilat janë veprimet kyçe emergjente që duhen ndërmarrë nga autoritet përgjegjëse për të përmirësuar gjendjen dhe nivelin e menaxhimit të Parkut kombëtar Sharri, të cilat gjithashtu mund t’i gjeni edhe këtu:
Rritja e numrit të stafit menaxhues dhe ngitja e kapaciteteve në PK Sharri (aktualisht 18 punëtorë, sipas planit menaxhes nevojiten 52 punëtorë)
Ndarja buxhetore e dedikuar për investime kapitale në Parkun Kombëtar
Zonimi i parkut
Parandalimi i prerjeve të paligjshme përmes menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve sipas zonavembrojtëse
Parandalimi i gjuetisë së paligjshme permes monitorimit te vazhdueshem dhe implementimit te planit per menaxhim me kafshe te egra
Mbikëqyrja e rreptë e ndërtimeve bazuar në planin hapësinor dhe atë menaxhues
Ndalimi i ndërtimit të hidrocentraleve brenda Parkut Kombëtar
Parandalimi dhe monitorimi i zjarreve pyjore duke shtuar numrin e punetoreve dhe pajisjeve te nevojshme per monitorim dhe intervenim
Mbrojtja e pellgjeve të lumenjëve dhe parandalimi i ndotjes së ujit
Trajtimi i ujërave të zeza dhe menaxhimi i mbeturinave./21Media

Back to top button