Deputetët e VV-së marrin ujin me vete në Kuvend
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nga sot kanë vendosur që në seancë të pinë ujë nga ujësjellësi dhe jo të ambalazhuar.
Kjo u bë e ditur përmes një postimi në Facebook nga deputetja Fitore Pacolli, e cila ka thënë se kjo bëhet për të ruajtur mjedisin.
Ajo tutje ka shtuar se kanë rekomanduar si komision funksional që deputetët të furnizohen me ujë të rrjetit publik përmes shisheve të qelqit.
Pacolli Dalipi theksoi se kjo do të kursente edhe buxhetin e Kuvendit i cili shpenzon 9 mijë euro në muaj për furnizimin e deputetëve me ujë në shishe të plastikës.
“Një hap i vogël, por me mesazh domethënës. Deputetët, posa të krijohen kushtet, do të konsumojnë vetëm ujë që ofrohet nga rrjeti publik i Ujësjellësit. Nuk do të blihet më ujë siç është blerë më parë. Do të pimë ujë që vjen nga rrjeti publik sikurse pi mbi 80% e popullatës në Kosovë, duke siguruar edhe cilësinë e ujit. Kjo e ngrit edhe vetëdijen e secilit deputet për rëndësinë e cilësisë së ujit të rrjetit publik. Do ta ruajmë mjedisin. Për çdo muaj në deponitë tona nuk do të hedhim rreth 5 mijë shishe të plastikës e rreth 5 mijë gota të plastikës në muaj”, ka shkruar ndër tjera Pacolli.
Ajo ka thënë se ky veprim do të bëjë që Kuvendi i Kosovës të kursejë 25 mijë euro në vit.
“Kjo përveç se do të ndihmoj në reduktimin e mbeturinave e rrjedhimisht në mbrojtjen e mjedisit do të ulë edhe shpenzimet e Kuvendit rreth 25,000.00 në vit”, ka shkruar deputetja./21Media