“Mangësitë ligjore” rrisin numrin e vdekjeve nëpër burgjet e Kosovës

Brenda një viti, nëntë persona kanë vdekur nëpër burgje, ndërsa po vuanin dënimin. Tre prej tyre kanë bërë vetëvrasje, një në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, një në Prizren dhe një grua në Qendrën Korrektuese në Lipjan. Ndërsa, 6 të tjerët kanë vdekur në Spitale publike, dy në QKUK (një në Pulmologji dhe një në Neurologji) dhe katër të tjerë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës. Katër të vdekurit në Spitalin e Pejës sipas “Raportit vjetor të punës së Departamentit Shëndetësor të Burgjeve për vitin 2021” të siguruar nga portali rtv21.tv kanë qenë me diagnoza terminale, me sëmundje kronike, dy nga ta me sëmundje tumorale të progreduara dhe dy të tjerë më sëmundje kronike multisitemike të avancuara, të gjithë në moshë të shtyrë.
Sipas këtij raporti ka një rritje lineare të vdekjeve nëpër burgje e cila mund të karakterizohet “si pasojë e plakjes së popullatës së të burgosurve, shqiptimi i dënimit të përjetshëm, përkatësisht afatgjatë, mos limitimi i moshës në burgje dhe shkaqe të tjera nga sëmundshmëria”.
Raporti i Departamentit Shëndetësor të Burgjeve ka theksuar një faktor tjetër të rritjes së numrit të vdekjeve në burgje, e që sipas tyre është mungesa juridike për ndërprerjen e dënimit për shkaqe shëndetësore në Ligjin mbi Ekzekutimin e Sanksioneve Penale të Kosovës.
“Ekzistojnë edhe rreth 15 raste të cilët ndodhen në burgje, në këtë fillim viti, e të cilët kanë diagnozë terminale, shumica e tyre edhe të moshuar e të cilët në çdo çast pritët të ndërrojnë jetë. Këta pacient dërgohen vazhdimisht në Institucione Publike, trajtohen dhe prapë kthehen në burgje, të cilët që të gjithë mbahen në stacionare të burgjeve duke iu ofruar kujdes 24 orë në ditë por që gjendja e tyre nuk mund të përmirësohet. Këto raste e ngarkojnë punën e shërbimit shëndetësor në burgje dhe ndodhë që si pasojë e tyre shërbimet për të tjerët të jenë të limituara”, thuhet në raportin e vitit 2021.
Po ashtu është theksuar se ka edhe mangësi tjera ligjore.
“Po ashtu vlen të theksohet se mangësitë ligjore, për ndërprerje të dënimit për shkaqe shëndetësore ose mungesa e dënimit alternativ të këtyre rasteve kanë ndikuar në rritjen e vdekshmërisë së personave të burgosur. Ky ligj ka mangësi edhe në dërgimin në burg të personave inkompatibil për burg dhe me sëmundje të rënda dhe me prognozë terminale. Pezullimi i dënimit si e vetmja masë në disa raste për të kryer ndonjë intervenim që nuk kryhet në burgje, nuk është masë adekuate dhe në shumë raste në mungesë të bazës ligjore po refuzohen, fakt që po shkakton jo vetëm pakënaqësi të të burgosurit por edhe të stafit dhe si pasojë edhe shtimi i vdekjeve në burgje”, thuhet tutje në raport.
Një faktor tjetër i vdekshmërisë së të burgosurve sipas këtij raporti është edhe rritja e moshës së të burgosurve në mënyrë graduale dhe mungesa e përgatitjes së institucioneve korrektuese për njësi geriatrie.
Portali rtv21.tv ka kërkuar sqarime nga Ministria e Drejtësisë lidhur me këto “mangësi” që i ka paraqitur Departamenti Shëndetësor i Burgjeve”, mirëpo e njëjta ende nuk është përgjigjur.
Sipas Departamentit Shëndetësor të Burgjeve mangësitë nuk përfundojnë me kaq. Ky department ankohet edhe në Institutin e Mjekësisë Ligjore, lidhur me verifikimin e shkakut të vdekjes.
“DShB asnjëherë nuk merr raporte finale të autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në funksion të evitimit të mangësive eventuale gjatë trajtimit për të zvogëluar vdekshmërinë e tyre, për të ndërmarrë masat adekuate dhe mos përsëritjes eventuale të gabimeve. Ne kemi kërkuar nga IML dhe jemi përpjekë që këtë ta zyrtarizojmë në dokumente punë por ende nuk është arritur pajtueshmëria me pretekst të konfidencës, në këtë rast ligjore”, thuhet tutje në raport.
Vdekjet dhe vetëvrasjeve në burgje që nga viti 1999 ka një trend të rritjes lineare. Numri i vdekjeve mesatarisht sillet 3 deri në 4 vdekje në vit ndërsa vetëvrasjet rreth 1 deri në 2 në vit.
Që nga viti 1999 në burgje të Kosovës kanë vdekur 88 persona, prej tyre 22 me vetëvrasje./21Media

Back to top button