Maqedonci: Avancimi i Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, hap i madh për sigurinë

(Lajm i përditësuar)


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ka mirëpritur vendimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për avancimin e statusit të Kosovës.

Maqedonci përmes një postimi në platformën X ka thënë se avancimi i Kuvendit të Kosovës nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asociuar është një hap i madh për sigurinë.

“Komiteti i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s vendosi sot ta avancojë Kuvendin e Kosovës nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asociuar. Ky është një hap i madh përpara për sigurinë dhe prosperitetin e Kosovës dhe rajonit”, ka shkruar ai.

Ai ka shtuar se anëtarësimi në NATO dhe BE është thelbësor për çdo vend demokratik.


Kosovës i avancohet statusi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, ka thënë se Kosovës i është avancuar statusi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Hyseni, i cili është kryesues i Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ka bërë të ditur se gjatë punimeve të së dielës të Komisionit të Përhershëm drejtues të kësaj asambleje që po mbahet në Estoni, Kosovës i është ngritur statusi në nivelin e anëtarit të asociuar.

“Ky është niveli më i lartë i prezencës në Asamble deri në anëtarësim të plotë të Kosovës në NATO. Për shumë vite Kosova kishte statusin e anëtarit vëzhgues. Ky vendim do të formalizohet me votim në Asamblenë parlamentare të NATO-s në sesionin pranveror të Asamblesë, që do të mbahet më 27 maj në Sofje”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Hysenit, me ngritjen e nivelit të përfaqësimit në Asamblenë e NATO-s, Kosova do të ketë zgjerim të delegacionit, përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë dhe të drejtë në adresimin e amandamenteve dhe komenteve për secilin proces e dokument i cili trajtohet nga Asambleja, të cilat më herët është dashur të bëhen përmes delegacioneve të vendeve tjera, kryesisht Shqipërisë.

Po ashtu edhe deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka thënë se Kosova pritet të pranohet partner i acociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, si rezultat i angazhimit shumëvjeçar të Delegacionit të Kuvendit të Kosovës.

 

Back to top button