“Vepra e tyre nuk shlyhet prej kujtesës”, Kurti kujton Hajrizin, Berishën dhe Kelmendin

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, kujtoi ish-kryesindikalistin Agim Hajrizi, ish-politikanin Latif Berisha, dhe ish-avokatin Bajram Kelmendi, në përvjetorin e vrasjes së tyre.

“Teksa aeroplanët e NATO-s nga qielli filluan bombardimin e caqeve të forcave serbe, si përgjigje ndaj krimeve të Serbisë së Millosheviqit në Kosovë, kriminelët serb vranë tre veprimtarë të njohur shqiptarë. Në Mitrovicë vranë kryesindikalistin Agim Hajrizi dhe politikanin Latif Berisha, e në Prishtinë vranë avokatin Bajram Kelmendi. Agim Hajrizi, sindikalisti i paepur, Kryetari i Kuvendit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kryetar i organizimit komunal në Mitrovicë në vitet e ’90-ta, u vra në shtëpinë e tij, bashkë me nënën Nazmije dhe të birin 11 vjeçar, Ilirin. Latif Berisha, politikan e intelektual, kryetar i LDK-së në Mitrovicë, profesor universitar i historisë së letërsisë shqipe e autor i shumë studimeve, udhëheqës i pajtimit të gjaqeve, u vra nga forcat serbe në prag të shtëpisë së tij në Mitrovicë, në natën e 24 marsit. Bajram Kelmendi, juristi i shquar dhe avokat aktiv në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, u rrëmbye nga shtëpia bashkë me dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin, nga policët serbë që i hynë dhunshëm në shtëpi në natën e 24 marsit 1999. Më 26 mars, ata u gjetën të vrarë”, ka shkruar Kurti.

Kurti tha se vepra e tyre nuk shlyhet prej kujtesës.

Back to top button