Maqedonci premton rritje të bashkëpunimit me kompaninë turke të dronëve

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është takuar me pronarin e kompanisë Baykar, Haluk Bayraktar, me të cilin tha se ka biseduar mbi projektet dhe bashkëpunimet e së ardhmes.
Ai ka shkruar në “Facebook” të hënën se kjo kompani dhe Turqia kanë shprehur bashkëpunim me Kosovën, duke theksuar se “lidhja e fuqishme ndërmjet dy shteteve tona do të vazhdojë”.
“Bashkëpunimi me kompaninë Baykar që është kthyer në kryefjalën e teknologjisë ushtarake me prodhimet e veta, ka bërë që FSK për një periudhë të shkurtër të ngrehë kapacitetet e saj luftarake në nivelin që garanton mbrojtje territoriale dhe siguri për të gjithë qytetarët tanë. Gjatë këtij takimi diskutuam për projektet e radhës në të cilat do të investojmë, dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi përtej blerjeve”, ka shkruar Maqedonci.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar më 17 korrik të këtij viti se ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia.
Bayraktar (Flamurtar) është një dron relativisht i lirë, që për herë të parë ka fluturuar më 2014.
Dronët e tillë, të llojit TB-2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?