Maqedonci pret në takim lamtumirës ambasadorin Abbot: Do të mbetet mik i përjetshëm i Kosovës
Ministri i Mbrotjes, Ejup Maqedonci ka pritur në takim lamtumirës përfaqësuesit e Mbretërisë së Bashkuar në NATO si dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbot.
Maqedocni e ka falënderuar ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
“Në takimin lamtumirës me ambasadorin Abbott, ministri Maqedonci e falënderoi atë për mbështetjen e vazhdueshme dhe shumë të rëndësishme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës në ngritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, si dhe veçanërisht për kontributin në heqjen e vizave për personelin civil dhe ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së”, thuhet në njoftimin e ministrisë për media.
Tutje, Maqedonci theksoi faktin se shteti britanik ka qenë dhe është aleat i Kosovës në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e vendit, si dhe ruajtjen e vlerave demokratike dhe se ambasadori Abbott do të mbetet mik i përjetshëm i Kosovës.
“Nicholas Abbott, për disa vite me punën e tij të shkëlqyer i shërbeu rritjes së bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, thuhet tutje në njoftim./21Media