Maqedonci takon kryesuesin e ardhshëm të Komitetit të NATO-s, flasin për agresionin në Banjskë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, së bashku me ambasadoren e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, Gjeneralmajor Gëzim Hazrolli si dhe Këshilltaren Politike, Liridona Gashi, kanë takuar Admiral Giuseppe Cavo Dragone, Shef Stafi i Mbrojtjes së Italisë dhe Kryesues i ardhshëm i Komitetit të NATO-s.

Ata kanë diskutuar për situatën aktuale gjeopolitike, zhvillimin e FSK-së, bashkëpunimin bilateral me Italinë në fushën e mbrojtjes dhe synimin e Kosovës si shtet për anëtarësim në NATO dhe BE.

“Admiralin e falënderova për bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm, për mbështetjen e vazhdueshme që Italia ka ofruar përmes trupave të KFOR-it dhe EULEX-it. Nga ana e tij, Admirali shprehu vlerësim të lartë për mënyrën se si është menaxhuar sulmi terrorist në veri të vendit, e po ashtu shfaqi vullnet e gatishmëri të plotë për të përkrahur Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në Programin e Partneritetit për Paqe”, ka shkruar Maqedonci në Facebook

Të dy kanë vlerësuar që ruajtja e stabilitetit në Ballkan e më gjerë përbën prioritet, ndërsa koordinimi me partnerët tanë strategjik është lidhja që e garanton këtë.

Back to top button