Kaloni te përmbajtja kryesore

Maqedonci: Traktati i paqes me Serbinë duhet të jetë pika kyçe në dialog

(Lajm i përditësuar)


Maqedonci: Traktati i paqes me Serbinë duhet të jetë pika kyçe në dialog

Shqetësimet e institucioneve për sulme të reja në veri të vendit nga Serbia e kanë rikthyer idenë për arritjen e një traktati të paqes me Serbinë e cila do të nënkuptonte se asnjëra palë nuk duhet ta sulmoj njëra tjetrën.

Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci tha për RTV21 se arritja e një traktati paqeje me Serbinë duhet të jetë pika kyçe në proces të dialogut në Bruksel.

‘’Një ndër kërkesat kyçe të kryeministrit të Kosovës që para se të hyhet në proces të dialogut dhe bisedime të bëhet një traktat i paqes, pra mos sulmimit mes dy vendeve dhe kjo do të duhej të shërbente si bazamenti bazamenti i dialogut. Vlerësoj se kjo duhet të mbetet një ndër pikat që duhet të diskutohet para se të fillohet të vendoset për cështje të tjera në kuadër të dialogut”, tha Maqedonci./RTV21/21Media


Qalaj: Ideja për traktat paqeje me Serbinë e dëmshme për Kosovën

Anëtari i Komisionit për Siguri nga radhët e PDK-së, Rashit Qalaj, e ka kundërshtuar idenë për një traktat paqeje me Serbinë.

Sipas tij, një ide e tillë është e dëmshme për Kosovën. Tha se nuk mund të ketë traktat paqeje me një shtet që ka vrarë e masakruar popullin e Kosovës. Sipas tij, një marrëveshje me njohje reciproke do të ishte zgjidhja më e mirë.

‘’Definitivisht kjo qeveri e ka humbur kompasin. Me kë do të bëjë traktat paqeje, me ata që i kanë vrarë edhe fëmijët në djep, me ata që kanë dhunuar edhe vajzat e mitura, me ata që përveç që i kanë vrarë edhe i kanë djeg kufomat, me ata që ende sot i kanë zhduk trupat e të vdekurve. Ky është një veprim i dëmshëm, i papranueshëm dhe që duhet të gjykohet shumë nga të gjithë”, tha Qalaj./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button